Pak ditë më parë, policia njoftoi për sekuestrimin e 15 tonë kafe kontrabandë e ndarë në 28 paleta, teksa në pranga ra Flori Kapllani, banues në Tiranë, si dhe u shpallën në kërkim 5 të tjerë, bashkëpunëtorë në transportimin dhe magazinimin e pakove të kafes.
Lidhur me rastin, WebLajm mëson ekskluzivisht se Administratorja e subjektit “Big Market”, Fabiola Sotiri ka bërë kallëzim penal pasi është njoftuar në datën 14.07.2024 nga Agjencia doganore “Drijan” sh.p.k. se kamioni që do të sillte porosinë ka bërë tranzit në Qafë Thanë në datën 12.07.2024 në emër të shoqërisë së tyre. Ata kanë kërkuar llogari se pse tranziti nuk ishte mbyllur si praktikë në doganë, teksa mallrat që janë deklaruar të importuara nuk rezultojnë të jenë porosi e tyre.
Nga agjencia doganore është dërguar fleta e referencës e cila mban niptin e firmës së tyre, targën e kamionit dhe emrin e shoferit me iniciale E.T. Tek përshkrimi i kësaj reference përshkruhen konkretisht 15 tonë kafe me vlerë 7.125.00 Euro.
Nga fatura ka rezultuar se adresa ishte në Vaqarr dhe NIPT-i në “Myslym Shyri”, gjë që ka ngritur dyshimet e para, teksa kanë komunikuar me kompaninë e importit dhe kanë konkluduar se në emër të tyre nuk ka asnjë porosi mallrash këtë periudhë nga Turqia.
Agjencia doganore i ka bërë një email firmës transportuese, ku i ka kërkuar sqarime se ku është zbarkuar malli. Ata i kanë kthyer përgjigje, teksa me anë të GPS-it të tyre ka rezultuar se malli ishte shkarkuar në autostradën Tiranë-Durrës. Rezultoi që subjekti ku kishte shkuar, ishte një varrezë makinash me administrator shtetasin K.Sh., të cilit i ishte kërkuar ambienti me qira. Pasi malli është zbrazur aty në datën 13 korrik, të dielën është marrë sërish nga aty. Shtetasi me iniciale K.Sh. kishte filmuar vetë me telefonin e tij pasi rasti i ishte dukur i dyshimtë.
Gjatë deklarimit, ky shtetas ka dhënë një numër telefoni, i cili rezultonte në përdorim nga shtetasi me iniciale F.M., i cili po ashtu është thirrur për të deklaruar. Mësohet se ai ka ndihmuar për të transportuar mallin, por pa e ditur se për çfarë bëhej fjalë. Ky person ka treguar me saktësi vendin se ku e kanë dorëzuar dhe kjo është faktuar edhe nga lokacioni i gjetur në telefonin e tij. Ai ka shkuar në zonën e Mju Bathore, në një objekt tre katësh, ku kati i parë ka qenë marangozeri. Aty janë gjetur Florian Kapllani dhe Edmond Shaba, pronar i banesës. Ky i fundit ka deklaruar se nuk kishte dijeni se çfarë kishte në kamion kolegu Florian Kapllani, i cili punon si marangoz tek firma e tij.
Florian Kapllanit i është marrë deklarimi dhe pas kontrollit të telefonit, ai ka deklaruar:
Në datën 25 korrik ai ka zvilluar një bisedë me Altinin, ku ky i fundit e ka marrë në telefon dhe i ka kërkuar një nder (kundrejt asnjë pagese), për magazinimin e e një sasie kafeje me arsyetimin se së shpejti do të hapte një biznes kafeje. Ai i kishte thënë se mallin do ta linte aty jo më shumë se 3 ditë. Floriani ka pranuar magazinimin e mallit, teksa ka njoftuar edhe Edisonin, ortaku i tij në mobileri. Pas 3 ditësh Altini i ka thënë që do ta lëvizte mallin që aty dhe se Floriani duhej të shoqëronte shoferin , teksa i ka dërguar lokacionin. Kanë shkuar tek adresa e dhënë ku aty i ka pritur Altini (Alberti) dhe pasi kanë shkarkuar, janë larguar. Në ambient kishin mbetur edhe disa pako pa paketimin e duhur dhe Altini ka kërkuar që të hiqej çfarëdo ka ngelur kontrabandë pasi mund të vinte ndonjë kontroll.
Floriani ka shprehur se në të gdhirë ka marrë mallin dhe e ka hedhur në një kosh plehrash. Në telefonin e Florian Kapllanit është zbuluar lokacioni ku u drgua malli, në zonën e Thumanës. Pasi është pyetur kryeplaku lidhur me banesën ku ndodhej malli, ai ka treguar se banesa ishte në pronësi të shtetasit M.S., i cili ndodhej jashtë dhe se në banesë ka kamera sigurie. Është hapur banesa e këtij shtetasi dhe është gjetur malli kontrabandë. Mësohet se çelësin e banesës e ka pasur dhe vëllai i pronarit, shtetasi me iniciale A.S. Policia ka shpallur në kërkim shtetsain Albert Çelkolaj, i cili ka thënë se do të paraqitej në DVP, gjë që nuk e ka bërë, si dhe vëllain e tij.
Gjithashtu në kërkim janë edhe dy shoferët turq që rezultojnë vëllezër me njëri-tjetrin. Deri më tani në pranga ka rënë Florian Kapllani, i akuzuar për “Ruajta ose depozitimi i mallrave kontrabandë”.
Njoftimi i policisë:
Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas një pune të mirëfilltë hetimore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Coffe seeds”.
Gjatë operacionit u sekuestruan 28 paleta me kafe, me peshë rreth 7 tonë, të dyshuara të kontrabanduara.
U arrestua një shtetas dhe u shpallën në kërkim 5 të tjerë, bashkëpunëtorë në transportimin dhe magazinimin e pakove të kafes.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave të ndryshme, arrestuan shtetasin F. K., 33 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, punohet për kapjen e shtetasve E. T., 30 vjeç, M. T., 33 vjeç, A. Ç., 33 vjeç, I. Ç., 35 vjeç, dhe A. S., 33 vjeç.
Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë paraqitur në doganën e Qafë Thanës, dokumentacion të falsifikuar të origjinës dhe porosisë së mallit që kanë transportuar, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore, dhe kamionin që transportonte sasinë e kafes, nuk e kanë shkarkuar në doganën e Vorës, siç kanë deklaruar në pikën e parë kufitare.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. S., në Thumanë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 28 paleta me kafe, me peshë rreth 7 tonë, të dyshuara të kontrabanduara.
Materialet i kaluan Prokurorisë.