Është arrestuar në Shëngjin Rigels Rajku, i njohur gjerësisht për publikun si reperi Noizy, vetëm dy ditë pasi u shpall në kërkim nga policia e Kosovës për plagosje të rëndë në një club nate në Pejë.
Në pranga bashkë me reperin ka rënë edhe Bahtjar Bajraktari i njohur si DJ Crax.
Noizy dhe DJ i tij, ishin në kërkim, pasi bashkë me disa persona të grupit të tij OTR kanë rrahur brutalisht Muhamet Isenin, i njohur në “TikTok” si Medi, si dhe mikun e këtij të fundit, Bekim Hadergjonajn. Rigels Rajku, u arrestua mbrëmjen e së martës nga policia e Lezhës në zonën e Kunës në Shëngjin nga njësia FAST Albania.
Mësohet se reperi u ndalua nga një postobllok policie, teksa po shkonte për të performuar në një klub nate. Kapja dhe arrestimi i tyre u bënë me qëllim ekstradimin në Kosovë.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, nga Drejtoria e Forcës së Posaçame Operacionale, Sektori për Kërkimin, Njësia “FAST Albania” në Departamentin e Policisë Kriminale në PSH, është marrë informacion nga FAST Kosova, për 2 shtetas të kërkuar për llogari të Kosovës, që mund të fshiheshin në Shqipëri.
Menjëherë, FAST Albania, bazuar në inteligjencën policore, bëri të mundur lokalizimin e 2 të kërkuarve, dhe në kuadër të operacionit policor “Fast”, kapi në Lezhë dhe arrestoi 2 shtetasit e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, konkretisht shtetasin R. R., nga Durrësi, dhe shtetasin B. B., nga Prishtina. Kapja dhe arrestimi i tyre u bënë me qëllim ekstradimin në Kosovë.’- njofton policia.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, po ashtu ka shpallur edhe reperin Stresi në kërkim.
Comments 1