Prokuroria ka sekuestruar telefonat e dy infermiereve të arrestuara për veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës, mbi vrasjen e kryer në azil, ku Zyhdi Shehi qëlloi për vdekje shokun e dhomës Virxhil Vesho.
Kryeinfermierja Nazime Mulla dhe vartësja Glesantina Saraçi që shfaqen në kamera duke u përpjekur të fshehin vrasjen nuk kanë treguar ende nëse ato u urdhëruan për ta kryer këtë veprim duke telefonuar agjencinë funerale, apo është një vendim i tyre.
Pavarësisht deklaratave të stafit të azilit privat që kanë treguar se edhe autori Zyhdi Shehi edhe viktima Virxhil Vesho trajtoheshin nga skleroza, prokuroria ka urdhëruar policinë të sekuestrojë kartelat e tyre shëndetësore.
Aktualisht prokuroria e ka fokusuar hetimin tek zbardhja e skemës si ndodhi krimi dhe ende nuk i ka shtrirë hetimet dhe verifikimet se cili ishte protokolli për trajtimin e të moshuarve në azil.
I akuzuari ka deklaruar disa versione për sulmin që sipas tij e kreu mbasi 82-vjeçari i kishte hyrë në pronën private, pra në dhomën e azilit, i kishte zënë shpesh rrugën dhe e bullizonte. Stafi ka pranuar se mes dy të moshuarve nuk ka patur konflikte më herët.
Prokurorja e çështjes për shkak të veprimeve që po kryen nuk e ka referuar ende në gjykatë kërkesën për caktim të masës së sigurisë.