“Micro-Folie Tirana”, Veliaj: “Mundësi fantastike për të rinjtë, që të aftësohen për punët e së ardhmes”Për të gjithë fëmijët, që muaji gusht i gjen në kryeqytet, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ambasadën Franceze, ka menduar që përveç kampeve verore, të ofrojë edhe një “kamp veror digjital”, siç është hapësira e “Micro-Folie” te Piramida. Në këtë hapësirë, fëmijët, sipas grup-moshave të ndryshme, mund t’u kushtohen aktiviteteve të larmishme dixhitale e krijuese, por edhe programeve të tjera edukuese. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cilësoi projektin si një mundësi fantastike për të rinjtë e kryeqytetit, për socializmin mes tyre, por kryesisht në aftësimin drejt punëve të së ardhmes.“Ftesa për të gjithë prindërit është të kujdesen që fokusi i fëmijëve për lojrat apo mësimet të jenë në këto lloj industrish, që do jenë punët e së ardhmes.
Ndaj, u them t’i regjistrojnë fëmijët te Qendra Tumo, që të sigurohemi që çunat dhe gocat e Tiranës të marrin aftësimin më shembullor për punët e së ardhmes, por edhe nëse keni ditë pushimi dhe nuk dini ku t’i sillni fëmijët, sillini te ‘Micro-Folie’; ndodhet brenda Qendrës Tumo dhe menaxhohet nga Agjencia e Kreativitetit dhe Industrisë Digjitale, si një mënyrë fantastike për të kaluar kohën e mirë, për të mësuar gjëra të reja, për të qenë në një mjedis të sigurt, por edhe për të zënë shokë dhe shoqe të reja, miqësi që zgjasin sa një jetë”, theksoi Veliaj.Duke falenderuar ambasadën franceze, si edhe aktorët e tjerë që dhanë mbështetjen e tyre në realizimin e kësaj shkolle dixhitale, kryebashkiaku Veliaj bëri me dije se Këshilli Bashkiak sapo ka votuar projektin “Ecole-42”, një shkollë e fokusuar për të rinjtë e moshës nga 18 deri në 22 vjeç. Sipas tij, frekuentimi i shkollave digjitale duhet të jetë fokusi i të rinjve. “Duam që piramida të gëlojë jo vetëm me jetë, me art, kulturë dhe shkolla digjitale, por edhe me këto projekte, që i ndjekin fëmijët. Në qoftë se ‘Micro-Folie’ është për moshat 6-12 vjeç, Qendra Tumo për moshat 12-18 vjeç, ‘Ecole 42’ për moshat 18-22 vjeç, e kështu me radhë, në çdo segment të jetës, ne sigurohemi që Bashkia e Tiranës të jetë e pranishme në nxitjen e punëve të së ardhmes, dhe nga 22 fëmijë që kemi në pilotimin e ‘Micro-Folie’-s, të shkojmë në 200 mijë fëmijë, duke marrë vëmendjen jo vetëm të fëmijëve të Tiranës qytet, por sidomos të fëmijëve që vijnë nga familje që jetojnë në periferi”, përfundoi Veliaj.Projekti “Micro-Folie” ka si aktivitet kryesor Muzeun e tij Dixhital, duke mbledhur disa mijëra vepra arti nga shumë institucione dhe muze. Kjo galeri arti dixhitale është një përvojë kulturore origjinale që inkurajon kuriozitetin. Muzeu Dixhital përshtatet veçanërisht për programe arsimore dhe kulturore artistike. Gjithashtu, pranë “Micro-Folie Tirana”, fëmijët kanë edhe një hapësirë dedikuar kreativitetit, ku mund të realizojnë crafte dhe shumë programe të tjera edukuese për fëmijë.