I njohur si një nga njerëzit më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, në kuadër të operacionit “Revanshi”, Durim Bami fitoi betejen me autoritetet shqiptare, të cilat kërkuan me ngulm ekstradimin ose deportimin e tij, nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ai është liruar nga qelia pas përfundimit të afatit të paraburgimit, ndonëse Shqipëria kërkon ekstradimin për dosjen ‘Revanshi’. Nga ana tjetër, përflitet se anëtarët e grupeve kriminale kanë ofruar 1 milion euro për ‘kokën’ e tij, ndërsa janë kërkuar vrasës me pagesë edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Ai u arrestua në 12 qershor dhe u mbajt në paraburgim sipas periudhës së parashikuar nga autoritetet atje dhe tashmë Gjykata ka vendosur ta lërë të lirë.
Durim Bami, së bashku me Endrit Doklen, Marklen Hakën dhe Xhelal Rrajën, do vrisnin Arben Ndokën. Detyra e tij do të ishte sigurimi i informacioneve për lokalizimin e ish-deputetit dhe të njoftonte të tjerët. Ndërkohë, për vrasjen e Tori Xhecukës dhe Erigers Mihasit, 45-vjeçari ka pasur rol kryesor të organizatorit. Bashkë me ish-policin Altin Morina ai akuzohet për kultivim narkotikësh në zonën e Krujës.