Pasi e motra e Egli Progës ngriti zërin dhe akuzoi se ambulanca kishte mbërritur 30 minuta pas raportimit se një person ishte në gjendje të keqe, kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka mohuar fjalët e saj.
Në një deklaratë për mediat, ai theksoi se urgjenca ka marrë thirrjen nga policia në orën 19:12 dhe në orën 19:18 ka mbërritur në vendin e ngjarjes ku ka dhënë ndihmën e parë.
“Nga verifikimi që kemi kryer, rezulton se në orën 19:12 minuta ka ardhur thirrja e Policisë së Pogradecit drejt urgjencës, ku kërkohet ndërhyrje e shpejtë për një person që gjendet në rrugë, në rrethrrotullimin te Agjencia.
Infermieri i vlerësimit ka kaluar të dhënat në orën 19:12 ka ardhur thirrja e cila zgjati 40 sekonda. Në orën 19:14 ekipi është nisur drejt vendngjarjes dhe në 19:18 ka mbërritur në vendin e ngjarjes.
Pas 2 minutash, pacienti është vendosur në autoambulancë, pra në 19:20, dhe është drejtuar drejt spitalit të Pogradecit. Përgjatë 11 minutave të rrugës nga vendngjarja në spital, pacienti është asistuar nga stafi mjekësor, gjë e cila ka vazhduar brenda ambienteve të spital.
I gjithë misioni ka qenë në total 20 minuta, duke nisur nga kërkesa për ndihmë. Ekipi ka shkuar në vendngjarje për 7 minuta, në total për 20 minuta është menaxhuar misioni me kod të kuq traumatik që dihet dhe rezultati final”-ka deklaruar ai.