WebLajm ka zbuluar dinamikën e ngjarjes që çoi në arrestimin e 40-vjeçarit Martin Çela, i akuzuar për veprën penale “Dhuna në familje”.
Në datën 12 gusht të këtij viti, policia ka marrë njoftimin se në zonën e Freskut, pranë Fizikës Bërthamore kishte një konflikt në familje.
Ishte vetë shtetasi Martin Çela, tashmë i arrestuar, i cili nëpërmjet telefonit kishte thirrur policinë, duke ju thënë se do të vriste nënën e tij dhe se ata duhet të ishim prezentë në ngjarje.
Pas raportimit, policia ka mbërritur në vendngjarje, teksa autori ka vijuar të kërcënonte me vdekje nënën e tij, madje edhe duke e pështyrë. Në këto kushte, efektivët kanë bërë të mundur arrestimin e tij.
Fillimisht ky shtetas është çuar në “Qendrën Spitalore Nënë Tereza”, për t’i bërë ekzaminim nëse vuante nga probleme të shëndetit mendor, por pasi stafi mjekësor e ka hedhur poshtë diçka të tillë, Martin Çela është rikthyer në Komisariat.
Në banesën e tyre, pas një kontrolli nëse aty ndodhej diçka e jashtëligjshme, i është marrë dëshmia nënës së të arrestuarit, e cila ka hedhur poshtë dyshimet për dhunë apo konflikt, teksa u shpreh se i biri mund të ketë qenë nën efektin e alkoolit dhe se ajo nuk ishte dhunuar.
Nga ana tjetër, efektivët e policisë që ndodheshin aty gjatë arrestimit, kanë rrëfyer kërcënimet dhe dhunën psikologjike të ushtruar nga dhunuesi. Ky shtetas madje rezultonte në sistem i arrestuar 3 herë për “Drejtim mjeti në gjendje të dehur”.
Në këto kushte, Prokuroria kërkon ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, me akuzën “Dhuna në familje”.