Klubi sportiv “Fire” i Çikagos dhe Xherdan Shaqiri janë pajtuar që të ndërpresin kontratën e mesfushorit.
32-vjeçari ka shënuar dy gola dhe dy asistime në 12 ndeshje gjatë këtij sezoni, por nuk ka luajtur që nga 18 maji.
“Pas diskutimeve me Xherdanin, kemi rënë dakord reciprokisht që pushimi i kontratës është në interesin më të mirë të të gjitha palëve”, tha drejtori sportiv i ekipit Fire, Georg Heitz.
“Ne e falënderojmë atë për kontributin e tij ndaj klubit dhe i urojmë suksese në kapitullin e ardhshëm të karrierës së tij”.
Në shkurt të vitit 2022 Shaqiri u transferua në Çikago nga klubi francez i Lionit. Shaqiri luajti në 75 ndeshje duke shënuar 16 gola për ekipin “Fire” të Çikagos.
“Besoj se kjo është koha e duhur që unë të eksploroj mundësi të reja në karrierën time”, tha Shaqiri. “Dua të falënderoj klubin dhe tifozët për mbështetjen e tyre gjatë kohës sime në Çikago. I uroj ekipit Fire suksese në të ardhmen”.
Shaqiri ka luajtur për disa klube në Angli, Itali, Gjermani dhe Zvicër. Ai ka përfaqësuar Zvicrën në katër kampionate botërore./VOA