Ditën e djeshme, policia bëri me dije se kishte vënë në pranga shtetasin me iniciale A. H., 35 vjeç, pasi ka kanosur nëpërmjet celularit një person për t’i marrë 40.000 euro, në këmbim të mospublikimit të komunikimeve personale që i kishte gjetur në llogarinë që i kishte vjedhur, në rrjetin social Instagram.
WebLajm ka zbuluar si ka ndodhur e gjithë ngjarja, gjë që çoi në arrestimin e autorit të dyshuar Arion Hyseni.
Në datën 9 gusht të këtij viti, 31-vjeçari me iniciale E.M. ka bërë kallëzim, duke treguar që po shantazhohej prej 3 muajsh. Në 25 maj, në WhatsApp-in e tij kishte mbërritur një mesazh, ku i thuhej se kishin akses në instagramin e tij dhe se kishin të dhëna private, nga komunikime të bëra në këtë rrjet social. Ky person ia dokumenton shtetasit E.M. atë që po i thoshte me foto/video, teksa i kërkon 40 mijë euro për të mos i bërë publike këto biseda, me afat datën 1 Korrik, datë e cila është shtyrë nga kallëzuesi, me pretekstin se ka aplikuar për kredi, për të siguruar shumën që po i kërkohej.
Kallëzuesi, shtetasi me iniciale E.M. ka ndërruar fjalëkalimin instagramit të tij, por shantazhuesi tashmë kishte regjistruar bisedat me foto/video.
Gjatë bisedës mes tyre është dakordësuar për dhënien e shumës 20.000 euro, të cilën duhet ta çonte fillimisht me video, në mënyrë që të ishte e besueshme për shantazhuesin. Ky i fundit i ka dërguar adresën se ku duhet t’i dorëzonte paratë shtetasi E.M.
Në datën 15 gusht, ora 16:46, i dyshuari i ka kërkuar kallëzuesit të nisej me paratë drejt parkut të Dajtit, por më pas ia ka ndryshuar adresën.
Rreth orës 20:11, i dyshuari i ka thënë të afrohej drejt liqenit të Linzës, në një kodrinë pranë lokalit “G.H.B.”, në afërsi të rrënojave të një ndërtese, ku do të linte paratë dhe do të merrte CD-në me USB.
Pasi kallëzuesi ka lënë paratë, vendi ka qenë gjithë kohën i monitoruar nga Policia.
Rreth orës 22:50 të asaj date, një automjet Audi është afruar në atë vendndodhje dhe pasi drejtuesi i mjetit me iniciale A.H. po zbriste për të marrë paratë, ai ka rënë në prangat e policisë.
Pas ndalimit të tij, kallëzuesit vijonin t’i vinin mesazhe, ku thuhej se nuk ishin marrë paratë sipas dakordësimit.
Policia ka zhvilluar një kontroll në banesën e të arrestuarit, ku ka gjetur 6 celularë që janë sekuestruar, si dhe 1 celular që i ndodhej me vete gjatë arrestimit. Policia gjithashtu ka sekuestruar edhe automjetin tip Audi.
Njoftimi zyrtar nga Policia:
Policia e Shtetit/Strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, operacione të njëpasnjëshme për goditjen e krimeve kibernetike.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh finalizoi operacionin policor të koduar “Double click”. Operacioni, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Prokurorinë e Tiranës.
Shantazhoi një shtetas për t’i marrë 40 000 euro, në këmbim të mospublikimit të komunikimeve personale që i kishte gjetur në llogarinë që i kishte vjedhur në Instagram, arrestohet në momentin që do të merrte paratë, 35-vjeçari.
Policia vijon të punojë për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që dyshohet se kanë bashkëpunuar me 35-vjeçarin, për këtë rast.
Sekuestrohen 7 celularë, 2 disqe dhe 1 USB.
Në vijim të monitorimit, hetimeve proaktive dhe punës intensive që po kryhen nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, për goditjen e krimeve kibernetike, si dhe si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një 31-vjeçari, se ishte shantazuar nëpërmjet celularit, për dhënien e një shume të konsiderueshme parash, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh në DPPSh, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Prokurorinë e Tiranës, finalizoi operacionin policor të koduar “Double click”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë teksa merrte paratë nga 31-vjeçari, shtetasi A. H., 35 vjeç.
Ai dyshohet se ka kanosur nëpërmjet celularit, një shtetas, për t’i marrë 40 000 euro, në këmbim të mospublikimit të komunikimeve personale që i kishte gjetur në llogarinë që i kishte vjedhur, në rrjetin social Instagram.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”.