Shefi i Antidrogës së Durrësit, Gazmir Preçi u arrestua para dy ditësh pasi akuzohet se gjobiti pronarin e një club-i nate te Ura e Dajlanit, ku i mori 10 mijë euro.
Sipas dosjes së SPAK, pronarit të lokalit i janë kërkuar 20 mijë euro, në të kundërt do i mbyllnin biznesin, teksa mes tyre është rënë dakord që në momentin e parë të jepen 10 mijë euro.
Në seancën e sotme gjyqësore të mbajtur, Gazmir Preçi ka mohuar akuzat, teksa ka thënë se nuk e dinte që brenda zarfit kishte lekë.
“Kam shkuar vetëm se më ka kërkuar pronari i biznesit. Nuk e dija se kishte lekë brenda zarfit dhe në momentin e arrestimit kam kërkuar që pakoja të hapet në praninë e avokatit, gjë e cila nuk më është mundësuar”-mësohet të ketë thënë ai.
Më tej, Gazmir Preci ka deklaruar se ka pasur nën hetim pronarin për shkak se dyshohej sipas informacioneve se brenda ambienteve shpërndaheshin lëndë narkotike. Për këtë arsye ka proceduar edhe nipin e pronarit, i cili momentalisht ndodhet në burg për lëndë narkotike.
Lidhur me arrestimin e tij, ai thotë se pronari i lokalit e ka marrë disa herë në telefon dhe i ka kërkuar takim. Gazmiri pretendon se ka kërkuar takim në zyrën e tij të punës, por ai nuk ka pranuar, ndaj e kanë lënë të takohen pas pune.
Pasi janë takuar në Tiranë pronari ka shprehur shqetësimin se Policia e ngacmonte shpesh. Pasi janë ngritur nga lokali dhe janë futur në makinë, në momentin që ka dashur të zbresë, pronari i lokalit i ka thënë se i ka bërë një zarf dhuratë.
‘Të kam taksur një dhuratë!’ i ka thënë pronari, sipas dëshmisë së Gazmir Preçit. Ky i fundit nuk e ka pranuar, por biznesmeni ia ka futur në xhepin e pasëm ku dhe janë gjetur nga agjentët e AMP-së.
Në këtë moment, shefi i antidrogës u ka kërkuar agjentëve të AMP-së të mos e hapin zarfin derisa të kishte në prezencë dhe avokatin e tij.
Prokurorja e çështjes ka kërkuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për Gazmir Preçin, por ky i fundit ka kërkuar një masë më të butë sigurie pasi është babai i tre fëmijëve.
GJKKO mori vendim për të lënë në fuqi masën e sigurisë ‘arrest me burg’, teksa shuma prej 10 mijë eurosh është sekuestruar bashkë me 2 celularë.