45-vjeçari Lorenc Kosta ka mbetur i plagosur me armë zjarri nga një efektiv policie. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, në kompleksin ‘Kika 2’.
Autori dyshohet se është Erjon Goxhara, efektiv policie në Rinas dhe ngjarja ka ndodhur pasi dyshohet se 45-vjeçari i ka ngacmuar partneren efektivit, i cili pasi e ka qëlluar 7 herë në gjymtyrë i ka bërë foto e video e ka goditur në kokë e më pas është larguar.
Pas afro 6 orë arrati dhe negociata me familjarët efektivi Goxhara është vetëdorëzuar në polici.
Njoftimi i policisë:
Më datë 19.08.2024, rreth orës 14:07, në afërsi të një marketi te rrethrrotullimi i Komunës së Parisit, dyshohet se për motive të dobëta, shtetasi E. G., (punonjës Policie) ka plagosur me armë zjarri shtetasin L. K., 45 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punon për kapjen e autorit të dyshuar dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Comments 1