Një anëtar i një grupi kriminal për trafikimin e armëve, Admir Tutaj ka rënë në prangat e policisë në Kolumbi, kjo pasi në prill të këtij viti, tentoi të trafikonte armë nëpërmjet portit të Durrësit, në Britani të Madhe.
SPAK ka caktuar ndaj këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Njoftimi i policisë:
“Më datë 10 prill 2023, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në portin e Durrësit, një arsenal armësh të fshehur në një furgon (7 pistoleta, një sasi të madhe municioni luftarak dhe aksesorë për armë), që dyshohet se do të trafikohej në Britani të Madhe, nga grupi kriminal ku bënte pjesë shtetasi A.T.
Si rezultat i informacioneve të siguruara nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e një shtetasi shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si dhe i shkëmbimit të këtyre informacioneve, në kohë reale, me partnerët e Interpol Bogota, Kolumbi, u mundësua kapja dhe arrestimi në Kolumbi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, i shtetasit A. T., 25 vjeç, i lindur në Tropojë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 30.07.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me Interpol Bogotën, me qëllim finalizimin e procedurave për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri”.