“Tirana Diplo 2024” quhet konferenca 3-ditore e cila ka nisur sot punimet në Tiranë, teksa të pranishëm janë të gjithë ambasadorët dhe Konsujt e Përgjithshëm të Shqipërisë.
Rama në fjalën e tij është ndalur tek puna që është bërë nga Ambasadorja shqiptare në Athinë, të cilën e përgëzoi dhe e quajti shembull transformimi pozitiv, pasi kjo ambasadë ka një punë voluminoze për shkak të pranisë së madhe të shqiptarëve atje.
“Duhet ta përgëzoj ambasadoren tonë në Athinë për transformimin e jashtëzakonshëm që i ka bërë shërbimit konsullor. Është një shërbim nga më të ngarkuarit për shkak të pranisë së madhe të shqiptarëve në Greqi.
Natyrisht që ka nevojë për përmirësime të mëtejshme, por edhe ai atje në Athinë është një shembull, që asgjë nuk mund të jetë jashtë mundësive tona, në rast se ne e kemi vullnetin dhe kemi dhe angazhimin e plotë, për t’u kujdesur si duhet për shqiptarët jashtë atdheut.
Ama nga ana tjetër, në aspektin e volumit të investimeve dhe në aspektin e volumit tregtar, sidomos me Turqinë dhe Greqinë, ne mund të bëjmë shumë më tepër dhe duhet të përpiqemi të bëjmë shumë më tepër, për aq sa na takon”-është shprehur kryeministri.