I njohur si “i forti i Vlorës”, Fotaq Zaharia ka ndërruar jetë në ambientet e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë.
Drejtoria e Burgjeve ka njoftuar lajmin, duke sqaruar se 64-vjeçari ka humbur jetën në orën 01:10 të mëngjesit të sotëm (26 Gusht), në Reanimacion.
“Zaharia ishte shtruar në spital me isuficencë respiratore dhe po trajtohej që prej datës 16 Gusht 2024”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Problemet me frymëmarrjen dhe komplikacionet e tjera shëndetësore duket se ishin të pakapërcyeshme për Zaharinë, ndërsa u njoftuan edhe familjarët dhe po kryhen procedurat e rastit.
Ai po vuante një dënim prej 25 vitesh për vrasje dhe ishte shtruar fillimisht në Spitalin e Burgjeve më 22 Korrik 2024.
“Përkeqësimi i gjendjes së tij shëndetësore kërkoi transferimin e tij në QSUT për kujdes të specializuar. Drejtuesit e Institucionit, Komisariati i Policisë Nr. 4 dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKBB) janë njoftuar për hapat e mëtejshëm procedural”-thuhet për rastin.
Zaharia ishte dënuar për aktivitet në grup kriminal pas trazirave të vitit 1997 në Vlorë dhe ishte dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Ai ishte arratisur nga dhomat e paraburgimit në Vlorë në vitin 2001, teksa u kap më pas dhe iu nënshtrua izolimit, por pas disa vitesh shfaqi probleme të theksuara shëndetësore.