Një shtetas shqiptar, baba i tre fëmijëve, i identifikuar si Shpëtim Ayvazi, mësohet nga mediat në Belgjikë se u qëllua për vdekje në kokë me armë zjarri nga fqinji i tij me origjinë italiane, teksa mbeti i plagosur dhe ndodhet në rrezik jete edhe kushëriri 19-vjeçar i shqiptarit.
Autori synoi të qëllonte me plumba njëkohësisht gruan e viktimës dhe djalin e tyre 15-vjeçar, të cilët kanë shpëtuar.
Shkak ishin konfliktet e vazhdueshme për vendparkimin e furgonit të viktimës dhe ngjarja ndodhi në rrugën “Blijde Inkomststraat”, në Machelen, një komunë periferike e Brukselit.
Policia belge ka arrestur autorin dhe ka zbuluar detaje mbi identitetin e viktimës dhe autorit.
Shqiptari punonte si murator në ndërtim, konsiderohej si person i qetë, kurse i dyshuari ishte i divorcuar dhe punonte si hidraulik, teksa jetonte i vetëm, në një banesë ngjitur me shqiptarin.