Është vetëdorëzuar në polici Saimir Sadiku, 40-vjeçari i akuzuar për vrasjen e një 24-vjeçari në fshatin Rajë të Fierzës.
Në 11 korrik të këtij viti, pas një sherri mes tyre, autori plagosi me thikë shtetasin Adrian Pepkolaj, i cili ndërroi jetë në spital, teksa të plagosur mbetën vëllai i tij 32 vjeç Valentini dhe 45-vjeçari Shkëlzen Kukaj.
‘Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Kukës ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin në kërkim S. S., 40 vjeç, banues në Fierzë, caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Kukës, më datë 14.07.2024, për veprën penale “Vrasja me dashje”.
Shtetasi S. S. akuzohet se më datë 11.07.2024, rreth orës 17:00, në një lokal në fshatin Breg-Lumë, plagosi me mjete prerëse, shtetasit V. P., 32 vjeç, Sh. K., 45 vjeç, si dhe vëllanë e shtetasit V. P., shtetasin A. P., 24 vjeç, i cili si pasojë e plagëve, humbi jetën në spital.
Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.’- njofton policia.
Në korrik u arrestuan gjithashtu 5 shokët e tij, të përfshirë në sherrin për motive banale, të akuzuar për përkrahjen e autorit dhe moskallëzim të krimit.