Kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi është përplasur ashpër sot me kreun e Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsin në Konferencën e Kryetarëve për ligjin që PS ka propozuar për Kontrollin e Lartë të Shtetit.
Demokrati u shpreh se shtyrja e raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit po bëhet me qëllimin për të shantazhuar kreun e KLSH, Arben Shehun për arsye personale.
‘Është e pa precedent shtyrja e raportit. Po e përdorni këtë për të shantazhuar kreun e KLSH. Kjo po ndodh për interesa personale dhe është e pa pranueshme’- tha Bardhi.
Po ashtu, Bardhi kërkoi që çështja e bllokimit të fondeve IPARD të BE-së për fermerët të trajtohet me prioritet, duke shtuar se “mbahen të bllokuara për shkak të korrupsionit dhe abuzimit qeveritar”.
Kuvendi ka propozuar ngritjen e një strukture të re parlamentare brenda Komisionit për Ekonominë dhe Financat për kapjen e Kontrollit të Lartë të Shtetit, institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar.
Projektvendimi për ngritjen e nënkomisionit “Për Auditimin e Sektorit Publik” shpall si synim kryesor zbatimin e buxhetit të shtetit dhe rritjen e ndikimit të proceseve të auditimit me qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënien në përdorimin e burimeve, por fusha kryesore e punës së tij do të jetë “llogaridhënia e KLSH në Kuvend”.
Kompetencat e parashikuara të nënkomisionit do të fokusohen tek raportet e qeverisë dhe KLSH-së për zbatimin e buxhetit të shtetit, shqyrtimi i raporteve të auditimit të KLSH-së, ndjekja e zbatimit të rekomandimeve dhe raportimi i gjetjeve, por dhe kontrolli i përdorimit të financave publike nga vetë ky institucion.
Në këtë kontekst, llogaritë e KLSH do të auditohen nga kjo strukturë parlamentare nëpërmjet audituesve të jashtëm të kontraktuar prej saj.
Nënkomisioni do të drejtohet në mënyrë bipartizane me bashkëkryetarë të shumicës dhe opozitës ndërsa në përbërje ka 5 anëtarë, ku shumicën e ka PS-ja.
Nënkomisoni përbëhet nga 5 anëtarë: Emilja Koliqi kryetare PD, Enslemvera Zake zëvendëskryetare PS, Alban Xhelili anëtar PS, Pranvera Resulaj anëtare PS, Sorina Kote anëtare PD.
Anëtarët zëvendësues janë: Antoneta Dhima- PS, Edmond Spaho- PD.
Edhe pse deputetët e opozitës në Komisionin e Ekonomisë e kanë mbështetur propozimin, ata shfaqën mosbesim në qëllimet e mazhorancës dhe ngritën pikëpyetje për tentativa që të kontrollojnë këtë institucion të pavarur.
Në raportin e performancës së qeverisë në zbatimin e buxhetit për vitin 2023 KLSH konstatoi një dëm ekonomik prej 72.3 miliardë lekësh për shkak të keqmenaxhimit të fondeve publike dhe shkeljeve ligjore të kryera nga administrata shtetërore dhe vendore gjatë vitit 2023.
Raportimet nga KLSH kanë tensionuar prej kohësh kreun e Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi i cili është angazhuar personalisht për ngritjen e strukturës parlamentare për të kontrolluar punën e Kontrollit të Lartë të Shtetit.