“Këshilli Organizativ për Bllokada” në Serbi ka planifikuar bllokim të rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Kosovën ditën e nesërme.
Arsyeja e protestës mësohet të jetë mbyllja e institucioneve paralele serbe në veri.
Kryetari i “Shoqatës së qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës për Kosovë”, Rasha Rojeviq, ka njoftuar se ditën e nesërme do të fillojë bllokada shumëditore e pikave kufitare drejt Kosovës.
Siç raportojnë mediat serbe Rojeviq se bllokada do të organizohet nga shoqatat vendase të qytetarëve nga Kosova dhe se katër nga pesë vendkalimet kufitare nga drejtimi i Serbisë qendrore dhe Malit të Zi do të bllokohen.
“Bllokada do të fillojë nesër në orën 18:00 dhe do të zgjasë derisa të tërhiqen forcat policore të Kosovës nga veriu i Kosovës. Gjithashtu kërkojmë që KFOR-i të marrë kontrollin e veriut të Kosovës”, tha ai.
Sipas tij, bllokadat do të zgjasin derisa të plotësohen kërkesat e qytetarëve.
“Ne do të bllokojmë vendkalimet Bërnjak, Jarinje dhe Merdar nga ana e Serbisë qendrore, dhe kalimin Kulla në rrugën Pejë-Rozhajë nga ana e Malit të Zi.
Vendkalimi Konçul nuk do të bllokohet tani për tani. Do të lejojmë vetëm automjete spitalore, si dhe të gjitha automjetet dhe pasagjerët e tjerë me dokumente serbe. Nëse dokumentet serbe nuk janë të vlefshme në Kosovë, atëherë dokumentet e Kosovës nuk mund të jenë të vlefshme as në Serbinë qendrore”, tha Rojeviq duke shtuar se të jenë të paktën 400 persona në bllokadë në çdo vendkalim.
Për shkak të kësaj, institucionet në Kosovë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të evitojnë kalimin nga Serbia.
Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar nga qytetarët të shmangin kalimin transit nëpër pikëkalimet kufitare me Serbinë.
Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit ka bërë thirrje të enjten që kufiri të mos kalohet as në pikëkalimin e vetëm me Malin e Zi, Kullë.
“Njoftohen të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës dhe pjesëtarët e mërgatës që planifikojnë të kalojnë transit përmes territorit të Serbisë dhe në pikëkalimin kufitar Kullë (Mali i Zi), të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet në pikëkalimet kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, po ashtu edhe me pikëkalimin kufitar me Malin e Zi”, thuhet në njoftim. /Telegrafi