Bashkimi Evropian do të dërgojë sot në Prishtinë përfaqësuesin e tij të posaçëm Miroslav Lajçak, në një përpjekje për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë – Serbi, mes thirrjeve drejtuar autoriteteve në Kosovë që të shmangin ato që zyrtarët perëndimorë i cilësojnë veprime të njëanshme në veri.
“Ne po angazhohemi me partnerët në Kosovë, po u dërgojmë mesazhe dhe shpresojmë që të jemi në gjendje që më në fund këto çështje, t’i zgjidhim aty ku e kanë vendin, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha të enjten zëdhënësi i bllokut Peter Stano.
I dërguari evropian Lajçak paralajmëroi se vizita në Prishtinë do të jetë pjesë e përpjekjeve për organizimin e një takimi mes kryenegociatorëve të të dyja palëve mes shqetësimeve perëndimore për shtimin e tensioneve në veri të Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin udhëtimin nëpër Serbi pas paralajmërimeve nga një grup i serbëve për mbylljen e vendkalimeve kufitare me Kosovën për shkak të zhvillimeve në veri.
Një grup qytetarësh në Serbi, tha se synon që nga dita e premte të bllokojë vendkalimet kufitare me kërkesën për tërheqjen e forcave të policisë së Kosovës nga veriu dhe kthimin e institucioneve të Serbisë atje.
Prokuroria merr në pyetje drejtuesit e institucioneve paralele në veri
Me 30 gusht autoritetet e Kosovës mbyllën komunat paralele serbe në veri, të cilat i cilëson të paligjshme, në një operacion që nxiti kritika nga diplomacia perëndimore. Pesë punonjësve të atyre institucioneve u janë dërguar fletëthirrje për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Shtetit nën dyshimin për falsifikim dokumentesh.
Zyrtarë të Listës Serbe subjektit kryesor të serbëve të Kosovës thanë të enjten në një konference për shtypin se ndërhyrja e autoriteteve në institucionet serbe në veri, është përndjekje e popullit serb.
“Autoritetet e Kosovës gjithmonë e kanë ditur ekzistencën e institucioneve të Serbisë. Nuk është asgjë e re që këto institucione kanë funkaiinuar dhe për to është diskutuar në nivel ndërkombëtar dhe është negociuar në Bruksel se si do të funksionojnë këto institucione në të ardhmen”, tha zyrtari i kësaj Lite, Igor Simiç.
Kryetari i komunës paralele të Mitrovicës, Ivan Zaporozhac tha pasi u mor në pyetje nga prokuroria se ky është një proces politik kundër tij dhe kolegëve të tij.
“Jam krenar që e kam kryer dhe vazhdoj ta kryej me nder detyrën e kryetarit të autoritetit të përkohshëm dhe absolutisht mendoj se e kam bërë detyrën time me ndershmëri. Unë akuzohem për falsifikim dokumentesh dhe nuk mund të flasë më shumë. Thjesht, ka tensione të mëdha, gjëra të mëdha kanë ndodhur disa ditë më parë. E vetmja gjë që mund të them është se unë jam këtu, se i gjithë populli serb këtu në territorin e Mitrovicës duhet të jetë këtu, të jetë i qetë dhe të besojë se e gjithë kjo do të kalojë dhe se ne do të qëndrojmë dhe do të mbijetojmë në këto zona”, tha ai.
Shuarja e institucioneve paralele serbe është paraparë me marrëveshjen e vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por zbatimi i saj ka ngecur.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara u kanë bërë trysi palëve që të zbatojnë një marrëveshje për të cilën ranë dakord në shkurt dhe mars të vitit të kaluar në Bruksel dhe në Ohër.
Misioni amerikan në OSBE – shqetësuese veprimet e qeverisë së Kosovës në veri
Misioni amerikan në Organizatën për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, shprehu të enjten shqetësimin lidhur me siç tha veprimet e pabashkërenduara dhe provokuese të qeverisë së Kosovës, të cilat kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë.
Në një komunikatë të këtij misioni thuhet se qeveria me veprimet në veri të Kosovës “i ka vënë qytetarët e Kosovës dhe forcat e udhëhequra nga NATO në rrezik më të madh dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”.
Misioni amerikan në OSBE tha se çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Dialogu i normalizimit i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është mënyra për të siguruar që Kosova të ketë marrëdhënie më të mira me fqinjët e saj dhe të përparojë në rrugën e saj evropiane”, thuhet në komunikatë duke u bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshejen e një viti më parë”, thuhet në komunikatë./VOA