Tre shtetas kinezë janë arrestuar dhe një i katërt është proceduar në gjendje të lirë, pasi dyshohen se organizonin veprimtaritë e kundërligjshme të lojërave të fatit, kontrabandës së mallrave dhe të prostitucionit.
Policia njoftoi se këta persona u arrestuan në Rinas, pasi tentuan të kontrabandonin në Shqipëri 12 celularë, 3 laptopë, 6 kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike, të cilat i përdornin për këto veprimtari të kundërligjshme.
“Komisariati i Policisë Rinas, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare dhe me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Electronics”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit kinezë: N. X., 19 vjeç, C. L., 43 vjeç dhe Sh. J., 49 vjeç, të tre banues në Kinë. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Y. L., 17 vjeç, banues në Kinë.
Gjatë kontrollit në valixhet e këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë kanë gjetur 12 celularë, 3 laptopë, 6 kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike, të cilat ata po tentonin t’i kontrabandonin në Shqipëri. Nga këqyrja e këtyre pajisjeve janë konstatuar faqe dhe programe për organizimin e lojërave të fatit dhe për prostitucion.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Prostitucioni” dhe “Organizimi i lojërave të palejuara”-thuhet në njoftimin e policisë.