Punësimi i mjekëve të institucioneve publike edhe pranë institucioneve shëndetësore private do të zbatohet nëpërmjet rregullave të reja të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë.Për mjekët që janë të punësuar në spitalet publike dhe dëshirojnë të punësohen edhe pranë spitaleve apo klinikave private, sipas udhëzimit “Mbi procedurat e verifikimit dhe shqyrtimin e kërkesës së mjekëve të institucioneve publike për të ushtruar profesionin në institucione jopublike, publikimin e të dhënave në regjistrin elektronik, formatin dhe mënyrën e përditësimit të regjistrit” do të bëhet vetëm pas miratimit të kërkesës nga drejtuesit e institucionit shëndetësor pranë të cilit janë të punësuar.
Procedurat e udhëzimit të ri të botuar në Fletoren Zyrtare përcaktojnë se fillimisht mjekët duhet të dorëzojnë një kërkesa te titullari drejtues i institucionit publik pranë të cilit janë të punësuar. Më pas kërkesa do të shqyrtohet për miratim ose jo të saj mbështetur te vlerësimi për ngarkesën e orëve që mjeku ushtron në institucionin shëndetësor publik dhe ngarkesën e punës që ka në institucionin shëndetësor jopublik. Po ashtu do të vlerësohet edhe ngarkesa mendore dhe fizike e mjekut. Do të vlerësohet gjithashtu edhe korrektësia e mjekut në punë dhe nëse ka konflikt interesi me institucionin ku ai kërkon të dypunësohet.
Sipas udhëzimit bazuar në këto kritere vendimi nga titullari do të merret brenda 10 ditëve.
Titullari i institucionit shëndetësor publik vendos mosmiratimin e kërkesës së mjekut, nëse nuk plotësohen kriteret e përmendura në këtë udhëzim.
Në rast miratimi të kërkesës, titullari i institucionit njofton ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, duke i bashkëlidhur kërkesën e mjekut, vendimin e arsyetuar, si dhe të dhënat e tjera të nevojshme për publikim në regjistrin përkatës.
Për rastet e rrëzimit të kërkesës mjeku ka afat brenda 30 ditëve të ankohet.
Po ashtu udhëzimi përcakton se për mjekët, që me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi ushtrojnë profesionin e tyre njëkohësisht në një institucion shëndetësor publik dhe në një institucion shëndetësor jopublik, paraqesin brenda 2 muajve një kërkesë për vijimin e kësaj marrëdhënieje, sipas formatit bashkëlidhur këtij udhëzimi.
NDRYSHIMI I TË DHËNAVE
Në rast mosshqyrtimi të kërkesës së paraqitur ose mosmiratimit të saj, mjeku ka të drejtë të paraqesë ankim, dhe në këtë rast procedohet sipas parashikimeve të pikave 9–14 të këtij udhëzimi. Ky udhëzim hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare./ Monitor