Prokuroria e Tiranës ka zbuluar një skemë fiktive të krijimit të kompanive për të garuar në tendera publik dhe për të shpallur fitues kompaninë “Vëllezërit Hysa.
Në hetim janë vënë dy shtetasit Elton Musta dhe Agron Hysa të cilët janë dërguar në gjyq për veprën penale falsifikim dokumentash kryer në bashkëpunim. Po ashtu në gjyq janë dërguar edhe subjektet tregtare “Sulova dhe Vëllezërit Hysa”. Kjo çështje po hetohet edhe nga SPAK ndërsa për falsifikimin është kaluar për kompetencë tiranës. WebLajm mëson se bëhet fjalë për tenderin 19 milion euro të aksit Skarficë-Delvinë, tuneli Kardhiqit.
Njoftimi Zyrtar i Prokurorisë Tiranë
Falsifikuan dokumente për të përfituar nga procedura prokurimi me kompani të krijuara fiktivisht, Prokuroria Tiranë dërgon në gjyq shtetasit E.M., A.H. dhe dy shoqëri
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasit E.M., A.H. dhe shoqëritë “Sulova Ndërtim Prodhim” dhe “Vëllezërit Hysa” për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.
Nga hetimet e zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr.207, datë 26.09.2019 për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikim i dokumenteve”, të parashikuara nga nenet 248, 258, 186 dhe 259 i K.Penal, rezultoi se shtetasi E.M. ka krijuar formalisht në datën 27/06/2014, shoqërinë “Sulova Ndërtim Prodhim” teksa vijonte të ishte i punësuar tek shoqëria “Vëllezërit Hysaj” shpk.
Hetimi provoi se shoqëria “Sulova Ndërtim” nuk ishte gjë tjetër veçse një krijesë e shoqërisë “Vëllezërit Hysa” e cila përdorej nga kjo e fundit për qëllime të pjesëmarrjes në procedura prokurimi jo në emrin e saj por në emër të shoqërisë “Sulova Ndërtim Prodhim”.
Shtetasit E.M. dhe A.H. dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal, pasi ata kanë paraqitur në procedurën e prokurimit të dhëna të rreme në lidhje me pjesëmarrësit dhe përfituesit e vërtetë të kësaj procedure prokurimi. Hetimi tregoi se paraqitja e shoqërisë “Sulova” apo edhe “IRCOP” dega Shqipëri, në procedura prokurimi është thjesht një veprim formal pasi në të vërtetë pas tyre fshihej shoqëria “Vëllezërit Hysa”.
Po ashtu edhe personat juridik “Sulova Ndërtim Prodhim”, me NUIS L43027201P dhe “Vëllezërit Hysa” shpk, kanë konsumuar elementët e veprave penale të parashikuara nga nenet 186 dhe 25 të Kodit Penal. Lidhur me këta të hetuar me vendimin e datës 08.11.2022 Prokuroria e Posaçme ka vendosur ndarjen e akteve dhe vazhdimin e hetimeve në një procedim penal më vete.