Një efektiv policie është shpallur në kërkim me masën arrest në burg për tentativë vrasje, ndërsa dy të tjerë janë lënë në masën detyrim paraqitje.
Efektivi i repartit “Shqiponja”, pranë DVP Tiranë, Rezart Berberi që ka masën arrest në burg dhe kolegët e tij Elton Dokollari e Florian Zeneli, në datën 8 mars 2024, gjatë kryerjes së shërbimit në segmentin rrugor Tiranë–Fushë Krujë, kanë ndaluar një automjet dhe gjatë veprimeve policore, në tejkalim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme, kanë qëlluar me armën e shërbimit në drejtim të tij.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njofton se ky veorim ka vënë në rrezik jetën e dy personave që ndodheshin në mjet. “Në vijim, krahas mos-raportimit të ngjarjes tek strukturat eprore, ata kanë tentuar të fshehin provat dhe faktet”, thuhet në komunikatën për mediat të AMP-së.
Prokuroria e Tiranës regjistroi procedim penal pas kallëzimit që ka bërë një shtetas emrin e të cilit shprehet e rezervuar për ta bërë publik. Ndërkohë, zbulohet se efektivi Rezart Berber të ketë qëlluar me armën e shërbimit, ndërsa ndaj 34 vjeçarit rëndon akuza për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, “Falsifikim dokumentash” dhe “Kallëzim i rremë”.
Ai është shpallur në kërkim pasi nuk është bërë e mundur gjetja e tij. Inspektor Elton Dokollari 46 vjeç, dhe inspektor Florian Zeneli janë të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, e kryer në bashkëpunim, “Moskallëzim krimi”, “Falsifikim dokumentash” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Ende mbetet e paqartë arsyeja e ndalimit të automjetit që është përfshirë në këtë ngjarje si dhe rrethanat që kanë shtyrë efektivët të hapin zjarr.
Njoftimi zyetar
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë), pas hetimeve të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka ekzekutuar vendimin e kësaj Gjykate, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal për punonjësit e policisë, efektivë të Seksionit të Forcës së Posacme “Shqiponja”:-Inspektor R.B., 34 vjeç, me masë sigurimi “Arrest në burg”, i dyshuar për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, “Falsifikim dokumentash” dhe “Kallëzim i rremë”. Shtetasi është shpallur në kërkim pasi nuk është bërë e mundur gjetja e tij; -Inspektor E.D., 46 vjeç, me masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, i kryer në bashkëpunim, “Moskallëzim krimi”, “Falsifikim dokumentash” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;-Inspektor F.Z., 37 vjeç, me masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, i kryer në bashkëpunim, “Moskallëzim krimi”, “Falsifikim dokumentash” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Caktimi i masave të sigurimit personal ndaj punonjësve të policisë u bë i mundur nga hetimet e kryera pas kallëzimit penal të depozituar nga një shtetas, nga ku rezultoi se në datë 8 mars 2024, gjatë kryerjes së shërbimit në segmentin rrugor Tiranë–Fushë Krujë, këta punonjës policie kanë ndaluar një automjet dhe gjatë veprimeve policore, në tejkalim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme, kanë qëlluar me armën e shërbimit në drejtim të tij, duke vënë në rrezik jetën e dy personave që ndodheshin në mjet. Në vijim, krahas mos-raportimit të ngjarjes tek strukturat eprore, ata kanë tentuar të fshehin provat dhe faktet.AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.Për ankesa me Whatsapp: 0694151511