Në raportin teknik të UEFA-s për Kampionatin Europian “Gjermani 2024” e ku luajti edhe Shqipëria, vlerësohet se ka detaje interesante në lidhje me të gjitha ekipet pjesëmarrëse.
Mesatarja e mbajtjes së topit në të tre ndeshjet e grupit për Kombëtaren Kuqezi është 35%. Vlen të theksohet se mesatarja më e lartë e mbajtjes së topit për kuqezinjtë është në ndeshjen ndaj Spanjës 42%, ndërsa më e ulëta ndaj Italisë, me 32%.
Për pasimet e tentuara, mesatarja është 363 për ndeshje. Sërish, vlera më e lartë u arrit në duelin ndaj Spanjës me 407 pasime, ndërsa më e ulëta, në atë ndaj Kroacisë me 311. Mesatarja e saktësisë së pasimeve rezulton 83%. Po ashtu veçohet edhe një tjetër detaj shumë interesant e ku Shqipëria renditet në vendin e katërt nga të gjitha ekipet pjesëmarrëse në Europian për pasimet e gjata të sakta, ku janë tentuar 44 të tilla.
Mesatarja e kilometrave të përshkruar nga ekipi është 115.8 km gjatë tre ndeshjeve të Europianit. Në sfidën ndaj Spanjës u arrit vlera më e lartë, me 117.2 km dhe më e ulëta, në takimin ndaj Italisë 115.1 km.
Vetëm pesë lojtarë i kanë luajtur të gjitha minutat në Europian dhe ata janë: Thomas Strakosha, Mario Mitaj, Arlind Ajeti, Berat Gjimshiti e Kristjan Asllani.
Klaus Gjasula, Nedim Bajrami dhe Qazim Laçi kanë gjetur rrugën e rrjetës ndërsa Jasir Asani ka dhënë një asist. Mosha mesatare e Kombëtares në Europian ka qenë 26.7. Futbollistët kuqezi janë ndëshkuar me 7 kartona të verdhë e asnjë të kuq.
Kristjan Asllani është lojtari kuqezi me numrin më të lartë të pasimeve kyçe, 8 të tilla. Gjithashtu, Asllani ka tentuar numrin më të lartë të pasimeve, 175 dhe ka një saktësi prej 86% ndërsa lojtari me saktësinë më të madhe të pasimeve është Berat Gjimshiti me 89% e pas tij Mario Mitaj, me 88%.
Mario Mitaj dhe Ylber Ramadani kanë rikuperuar nga 15 topa. Gjithashtu, mbrojtësi Mitaj ka katër duele të fituara e shtatë ndërprerje të aksioneve kundërshtare.
Gjatë Kampionatit Europian “Gjermani 2024” u shënuan 12 gola në kohën shtesë, ku mes tyre është edhe i Klaus Gjasulës ndaj Kroacisë, në minutën e 90+5.
Goli më i shpejtë në historinë e kampionateve Europiane u shënua në “Gjermani 2024” nga lojtari kuqezi, Nedim Bajrami, në ndeshjen me Italinë e për vetëm 23 sekonda./SuperSport