Administrata Tatimore u ka nisur subjekteve një mesazh sensibilizues, në kuadër të nismës së Qeverisë Shqiptare, për hartimin e një Plani Kombëtar që garanton pagesën e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore për pension të sigurt në të ardhmen.
Sipas njoftimit, Administrata Tatimore, si institucion përgjegjës për mbledhjen e detyrimeve të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, do të vlerësojë, analizojë, evidentojë dhe trajtojë të gjitha rastet e fenomeneve dhe tatimpaguesve me risk në këtë fushë.
Administrata Tatimore njofton se gjatë zbatimit të kësaj nisme, do të monitorojë të dhënat që vetë subjektet deklarojnë, do të kryqëzojnë informacionin nëpërmjet sistemeve informatike që disponon, si dhe me palë të treta për çdo informacion që lidhet me punonjësit.
Tatimet u kanë kërkuar subjekteve të deklarojnë me saktësi dhe vërtetësi brenda datës 20
tetor 2024, të dhënat në lidhje me:
• Punonjësit që punojnë në ndërmarrjej
• Pagat reale të tyre
• Kohën e punës
• Profesionin e punonjësit
• Kategorinë e punësimit
Tatimet paralajmërojnë se deklarimi i pavërtetë i këtyre të dhënave konsiderohet shmangie tatimore dhe si e tillë përbën kundërvajtje, sipas Ligjit 9920/2008, “Për Procedurat Tatimore në RSH”, i ndryshuar dhe Ligjit Nr. 7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar!
Sipas njoftimit, deklarimi i pavërtetë cenon të drejtën e individëve të punësuar në Republikën e Shqipërisë për të përfituar pension të merituar, fenomen ndaj të cilit do të ketë 0 tolerancë!/ Monitor