Në orën 18:00, PD ka lajmëruar se do të nisë protestën e paralajmëruar, teksa në shkresën drejtuar policisë, i kërkon 4 orë leje për tubim, nga ora 18:00 deri në orën 22:00.
Në shkresën e dërguar kërkohet vetëm leje për zhvillimin e protestës para kryeministrisë, por jo itenerari që ata do të ndjekin.
Nga ana tjetër, Policia bëri me dije akset rrugore të cilat do të jenë pa akses kalimi, teksa efektivët kanë blinduar dyert e kryeministrisë e jo vetëm.
Flamur Noka mësohet ka mbledhur në zyrë drejtuesit e PD për të diskutuar në lidhje me skenarin që do të ndjekin në këtë tubim, të cilin e kanë cilësuar si një mosbindje civile, deri në atë që e quan krijimi i qeverisë teknike dhe shkuarja drejt zgjedhjeve me qeveri teknike dhe pa Edi Ramën kryeministër.
Për të monitoruar mbarvajtien e protestës dhe respektimin e lirive themelore të njeriut, ka reaguar edhe Avokati i Popullit me ngritjen e një task force të posaçme:
*Njoftim Publik: Mbi Mbarëvajtjen e Protestës Kombëtare në Tiranë*
Institucioni i Avokatit të Popullit, në përmbushje të misionit të tij për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, ka marrë masa të veçanta për monitorimin e protestës kombëtare që organizohet sot nga opozita në Tiranë.
Në këtë kuadër, do të qëndrojnë në terren pesë grupe monitorimi, të cilat do të ndjekin nga afër zhvillimet në zonat ku do të realizohet protesta.
Një grup tjetër monitorimi është ngarkuar për të ndjekur raportimet online dhe live të mediave, me qëllim të vlerësimit të saktë të ecurisë së ngjarjeve në kohë reale.
Gjithashtu, katër grupe monitorimi, pas protestës, do të jenë prezent në komisariatet e policisë për të siguruar mbikëqyrjen e respektimit të të drejtave të qytetarëve që mund të ndalohen apo shoqërohen gjatë protestës.
Institucioni i Avokatit të Popullit rithekson rëndësinë e respektimit të së drejtës për protestë paqësore, e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Çdo qytetar ka të drejtë të shprehë mendimin e tij dhe të protestojë paqësisht, pa frikë nga represioni apo dhuna. Në këtë drejtim, apelojmë për mirëkuptim dhe bashkëpunim mes të gjithë aktorëve për të siguruar një protestë paqësore, ku të drejtat dhe liritë e qytetarëve të respektohen plotësisht.
Institucioni i Avokatit të Popullit i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe autoriteteve përkatëse që të veprojnë me përgjegjësi, duke respektuar standardet e ndërhyrjes së nevojshme për të garantuar rendin dhe sigurinë, pa cënuar të drejtat e qytetarëve.
Gjithashtu, u bëjmë thirrje protestuesve që të demonstrojnë paqësisht, duke respektuar jo vetëm të drejtat e tyre, por edhe ato të qytetarëve të tjerë. E drejta për protestë duhet të bashkëjetojë me detyrimin për të respektuar rendin dhe sigurinë publike.
Monitorimi i Avokatit të Popullit do të jetë i pandërprerë deri në përfundimin e plotë të protestës.