Policia e Dibrës ka njoftuar ditën e sotme se mbi 100 pacientë me simptoma helmini kanë përfunduar në spital.
Bëhet me dije se rreth 100 pacientë ndodhen në pediatri dhe 70 në urgjencën e spitalit Rajonal të Dibrës, pasi janë paraqitur me të vjella.
Pacientët vinin nga fshatrat e Njësive Administrative Kastriot, Arras dhe Fushë Çidhën, të cilët furnizohen nga ujësjellësi i Saponikës, ndaj kjo bëri që dyshimet e para të bien mbi ujin e pijshëm.
Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor konfirmon rastin dhe shprehet se kanë marrë mostrat e ujit për t’i analizuar, por sa i përket ndotjes mikrobike nuk ka probleme, ndërsa analiza bakterologjike është nisur për Tiranë dhe pritet të dalë ditën e nesërme.
Nga ana tjetër, Drejtoria e Policisë në bashkëpunim me Prokurorinë ka nisur hetimet për këtë rast.
Njoftimi nga Policia:
Komisariati i Policisë Dibër, ka marrë njoftim se disa shtetas (mes tyre dhe disa të mitur), banorë të bashkisë Dibër, ishin paraqitur në spitalin rajonal të qytetit të Peshkopisë, për ndihmë mjekësore me simptoma si ata të helmimit.
Me marrjen e njoftimit, është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të helmimit.
Në përfundim të hetimeve, do të ketë informacion më të detajuar.