Gjykata e Posaçme ka dënuar me dy 2 vite shërbim prove Fatos Tushen, ish-kryebashkiakun e Lushnjës, lidhur me akuzën e mosdeklarimit të pasurisë.
Prokuroria kërkoi dënimin e Tushes me 1 vit e 5 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të përfitonte zbritjen e dënimit me 1/3. Vetëm pak muaj pasi shleu dënimin me 3 vite e 4 muaj burg për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera, ndaj Fatos Tushes nisi një tjetër hetim që ka të bëjë me pasurinë. Bëhet fjalë për një apartament në bregdet, të cilin nuk e ka deklaruar.
Ish-kryebashkiaku socialist u dënua në korrik të 2022 me 2 vite e 4 muaj burg për shpërdorim detyre nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, vetëm për shpërdorim detyre, ndërsa ra vepra e shkeljes së barazisë në tendera, teksa SPAK kërkonte dënimin e tij me 5 vite.
Në mars të vitit të kaluar, Apeli i Posaçëm i shton dënimin Fatos Tushes me 1 vit, kur ku i fundit sapo kishte lënë qelinë pasi shleu dënimin. Ai rikthehet në burg për të përfunduar pjesën e mbetur, këtë radhë për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin për gjykim të çështjes penale nr. 199/1 të vitit 2021 në ngarkim të të pandehurit Fatos Tushe, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, në formën e fshehjes dhe të deklarimit të rremë, parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i dytë i K.Penal”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Flojera Davidhi, me vendimin Nr. 56, datë 09.10.2024 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fatos Tushe, për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, në formën e fshehjes, parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i dytë i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
2. Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3 e tij, duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Fatos Tushe me 1 (një) vit burgim.
3. Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim për të pandehurin Fatos Tushe, për një periudhë kohore prej 2 (dy) vjet, me kusht që gjatë kohës së provës i pandehuri të mbajë kontakte me shërbimin e provës të vendbanimit të tij, si dhe të mos kryejë vepër penale tjetër.
4. Konfiskimin e pasurisë së llojit “apartament”, me nr. pasurie ****, Z.K. ****, në ****, Vlorë, sekuestruar me vendimin nr. 136, datë 29.02.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe kalimin e kësaj pasurie në favor të shtetit.
5. Në mbështetje të neneve 393 dhe 485/3 të K.Pr.Penale shpenzimet gjyqësore sipas formularit bashkëlidhur të paguhen nga i pandehuri, si dhe ato të hetimeve paraprake.
6. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi të arsyetuar.