Gazeta “The Jerusalem Post”, ka publikuar një artikull teksa ka intervistuar të parin e bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj.
Artikulli titullohet “E konsideroj veten vëlla të popullit Izraelit” dhe aty Baba Mondi thotë se nuk duhet humbur kohë në çuarjen përpara të krijimit të një entiteti sovran të Urdhrit Bektashi, gjë e cila u pohua edhe nga kryeministri Edi Rama edhe gjatë fjalës të mbajtur në OKB.
“Shteti shqiptar gëzon të drejtën e aprovimit të ligjit për këtë çështje. Më pas ne do ti drejtohemi komunitetit ndërkombëtarë duke i kërkuar njohjen. Ne duam të kemi një status diplomatik në botë duke u njohur si “Qendra Botërore e Bektashinjve” Qendrat e komunitetit tonë në të gjithë botën do të jenë pjesë e “Qendrës Botërore”.
Ne po zhvillojmë strategji të ndryshme në lidhje me zbatimin e këtij plani. Por fillimisht duhet qeveria e Shqipërisë të miratojë ligjin duke ndryshuar statusin tonë”, shprehet Baba Mondi.
Në intervistën për “The Jerusalem Post”, Baba Mondi tregon se e ka vizituar disa herë Izraelin dhe shpreson të rikthehet përsëri.
“Unë e njoh mirë Izraelin dhe e konsideroj veten një vëlla të popullit të Izraelit. Kam qenë atje edhe si i ftuar në dasmën e një mikut tim izraelit.
Komuniteti bektashi në rrugën e tij bazuar në Islam, i do njerëzit pavarësisht nga cili vend ata vinë dhe besimi që kanë apo ngjyra e lëkurës përfshi bindjet politike.
Ne i konsiderojmë vëllezër dhe motra. Kam vizituar shumë vende në Izrael nga ku kam marrë energji pozitive. Nuk jam duke folur për ekstremizmin por për ata që besojnë në Zot e jetojnë bazuar në principet e librit të shenjtë”-ka thënë ai.