Deputetët e opozitës do të duhet të paguajnë shumën në vlerën 764.922 mijë lekë për djegien e karrigeve dhe shkatërrimin e objekteve në sallë, gjatë seancës plenare të 30 shtatorit.
Në dokumentin e siguruar nga WebLajm, paraqiten emrat e deputetëve përgjegjës dhe faturat që do paguajë secili prej tyre.
Sipas dokumentit, bazuar edhe nga kamerat e sigurisë, të akuzuar për dëmtimin, djegien e karrigeve, shkatërrimin e mikrofonëve, dyerve dhe foltores, janë deputetët Gazment Bardhi, Flamur Noka, Bledjon Nallbati dhe Elda Hoti.
Ato gjithashtu janë të përjashtuar me 40-60 ditë nga Kuvendi.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi duhet të zhdëmtojë dëmet me vlerë 209.175 lekë, deputeti Flamur Noka duhet të zhdëmtojë dëmet me vlerë 187.455 lekë, deputeti Bledjon Nallbati duhet të zhdëmtojë vlerën 187.455 lekë dhe deputetja e PD, Elda Hoti duhet të zhdëmtojë dëmet me vlerë 180.837 lekë.
Sipas dokumentit zyrtar, afati përfundimtar për pagesën e dëmit është data 20.11.2024, teksa pas këtij afati, zhdëmtimi do të kryhet duke u mbajtur paga e tyre në dy këste.