Avokati i Klea Prengës ka folur dhe ka zbuluar se blogeria ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike.
Ai ka treguar se edhe pse dy motrat u dorëzuan në polici, (Pamjet nga WebLajm) nuk ka pasur asnjë tentativë për të komunikuar me të, teksa rrëfeu se Klea ka marrë vazhdimisht kërcënime.
Avokati theksoi se Dëmtimet në fytyrën e saj të shkaktuara nga dhuna e motrave Berisha, përcaktohen nga organet kompetente si shëmtim i përjetshëm.
“Blogerja vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, është e tronditur. Dëmtimet përcaktohen si shëmtim i përjetshëm. Ka pasur edhe disa mesazhe pas ngjarjes që i ka kallëzuar.
Unë jam avokati i saj, i zonjës Klea që pak ditë pas ngjarjes, përfaqësimin e kam paraqitur në organin e akuzës. Nuk ka pasur asnjë përpjekje apo tentativë për të komunikuar dikush me mua apo me Klean.
Kërcënimet kanë dy natyra, nëse kërcënimi ndodh post traume, impakti është më i rëndë”- tha avokati i saj në një intervistë për TN.
Ndaj Mariela Berishës është caktuar masa e arrestit në shtëpi pasi ajo ka kujdestarinë e një fëmije të mitur dhe për Antonela Berishën masa detyrim paraqitje.
NJOFTIM PËR SHTYP
Referuar interesit të shfaqur mediatik, nëpërmjet disa komenteve dhe pamjeve filmike të shfaqura ditën e sotme, në disa portale/media on line, komunikohet informacioni zyrtar në vijim:
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin e saj të arsyetuar, të datës 10.10.2024[1], ka caktuar ndaj dy personave nën hetim, masat e sigurimit në mungesë, të kërkuara nga Prokurori, në kushtet dhe në rrethanat kur ka rezultuar se ato nuk gjëndeshin nga organi proçedues, dhe thirrja, apo pyetja e tyre kishte qënë e pamundur, të paktën nga të dhënat që gjykata disponoi në aktet e sjella për gjykim nga Prokurori.
Gjykata, në vendimin e marrë prej saj, në datën 10.10.2024, ka vlerësuar nevojën e caktimit të këtyre masave të sigurimit, të kërkuara nga Prokurori, për të garantuar:
- Së pari që personet nën hetim, të vihen dhe të jenë në dispozicion të këtij hetimi dhe proçedimi penal, që është duke u zhvilluar aktualisht ndaj tyre;
- Së dyti, që ky proçedim penal, ky hetim paraprak, të mund të zhvillohet edhe nën praninë dhe dijeninë proçedurale të vetë personeve nën hetim, apo të avokatëve mbrojtës të zgjedhur prej vetë tyre, kjo në kuadër të një mbrojtje proçedurale efikase, në respektim të plotë me dispozitat e parashikuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në Kodin e Proçedurës Penale, si dhe në zbatim të plotë me Nenin 6 të KEDNJ, për një “Proçes të rregullt ligjor”.
Në datën 16.10.2024, është mbajtur proces-verbali për zbatimin e urdhërit të Prokurorisë për vendimin gjyqësor Nr. 2540 Akti, datë 10.10.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetaset nën hetim A. dhe M. Berishaj, proçes-verbal sipas të cilit rezulton se, dy personet nën hetim, janë paraqitur në ambjentet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë duke u vetë-dorëzuar, në kuadër të këtij proçedimi penal që është duke u zhvilluar ndaj tyre.
Në datë 17.10.2024, ka mbërritur pranë Gjyqtares së hetimit paraprak, kërkesa e prokurorit me objekt: “Marrjen në pyetje të personit të arrestuar”, parashikuar nga neni 248 i K.Pr.Penale.
Në datën 18.10.2024, është zhvilluar dhe ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor i “Marrjes në pyetje të personave të arrestuar”, parashikuar nga neni 248 i K.Pr.Penale.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale, me vendimin numër 2664, datë 18.10.2024, me vendimin e saj, të shpallur dhe të arsyetuar në mënyrë të përmbledhur, ditën e sotme, pasi ka dëgjuar palët e pranishme në séance, si dhe ka shqyrtuar të gjitha faktet, të dhënat, shpjegimet, qëndrimet, si dhe provat e paraqitura nga palët në këtë séancë gjyqësore:
Personia nën hetim, A. Berishaj, tha: ”Më vjen shumë keq për çfarë ka ndodhur. Nuk ka qënë aspak qëllim i yni që të ndodhte një ngjarje dhe aq më tepër një pasojë e tillë. Kemi shkuar në restorant, të dyja me motrën për të darkuar. Në një moment ajo është ngritur rrëmbyeshëm nga tavolina, e provokuar nga sjellja e viktimës. Në gjaknxehtësi e sipër, aty në moment, ka rrëmbyer një gotë dhe e ka qëlluar viktimën. Kam ndërhyrë mes tyre vetëm për t’i ndarë, dhe mbi të gjitha për të mbrojtur motrën time. Ka një vit që nuk ndihet aspak mirë. E provokuar në mënyra të ndryshme. Më vjen shumë keq dhe nuk e shikoj dot motrën time në këtë gjëndje. Kërkoj ndjesë, dhe jam e gatshme të bëj gjithçka për të normalizuar marrëdhëniet dhe për ta ndihmuar viktimën të rehabilitohet fizikisht, për sa na takon. Kërkoj ndjesë publike përpara Gjykatës.”
Avokatja, për personen nën hetim A. Berishaj, tha: “Ndihemi të keqardhura për gjithçka ka ndodhur. E pranojmë faktin penal, por A. nuk ka kryer veprime me asnjë qëllim për të dëmtuar dikë. Ajo ka ndërhyrë për të ndalur situatën dhe për të mbrojtur motrën e saj, e cila i ka kryer veprimet e saja në gjaknxehtësi e sipër. Asgjë nuk ka qënë, e planifikuar prej tyre. Nuk ka patur asnjë paramendim. Nuk ka patur asnjë qëllim për të dëmtuar fizikisht asnjeri. Ka qënë një incident i çastit. I momentit. Kërkojmë falje publike para Gjykatës, dhe shprehemi tërësisht pendues, duke qënë të gatshëm të përgjigjemi financiarisht për t’iu ndodhur viktimës në rehabilitimin e saj fizik.
Sa i përket veprimeve të A. mendojmë që nuk duhet të kualifikohen si fakt/ vepër penale, ndaj nuk ka asnjë arsye që ndaj saj të caktohet një masë sigurimi. Në të tilla kushte kërkojmë revokimin e masës së sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, për shtetasen A. Berishaj.”
Personia nën hetim, M. Berishaj, tha: ”Kërkoj falje për çfarë kam bërë. Nuk e kam dëshiruar, dhe nuk e kam kërkuar apo planifikuar një situatë të tillë dhe aq më pak një pasojë të tillë. Kam mbi një vit që po kaloj një moment dhe një situatë të vështirë psikologjike. Jam në një bashkëjetesë, dhe kam një fëmi 2 vjeç, i cili ka nevojë për mua dhe për praninë dhe kujdesin tim. Kërkoj mëshirë.”
Avokatja, për personen nën hetim M. Berishaj, tha: “Një masë sigurimi më të butë se ajo që ka kërkuar prokurori, pasi ajo është pa asnjë preçedent penal, nuk ka asnjë arsye dhe asnjë shkak për të përsëritur veprime të njëjta apo të ngjashme, shprehet thellësisht e penduar, e pranon faktin penal, është e gatshme të normalizojë marrëdhëniet me viktimën, i kërkon publikisht falje asaj, si dhe gjykatës, njëkohësisht është e gatshme ta ndihmojë financiarisht për të përballuar shpenzimet e nevojshme për rehabilitimin e plotë dhe përfundimtar të dëmtimeve fizike që ka pësuar viktima. Së fundi, por tepër e rëndësishme, ajo është nën e një fëmije të mitur 2 vjeç. Aktualisht është i vetmi person që mundet të kujdeset për të, dhe prania e nënës për një fëmi në këtë moshë është e domosdoshme.”
BAZA LIGJORE E ZBATUESHME
Neni 230 Kodi Procedures Penale
Kriteret e veçanta për caktimin e masës së arrestit në burg
(Ndryshuar fjalë në pikën 2 me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017)
1. Arresti në burg mund të vendoset vetëm kur çdo masë tjetër
është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të
veprës dhe të pandehurit. …….
2. Nuk mund të vendoset arresti në burg ndaj një gruaje që është shtatzënë ose me fëmijë nën moshën 3 vjeç dhe që jeton me të, ndaj një personi që ndodhet në gjendje shëndetësore veçanërisht të rëndë ose që ka kaluar moshën shtatëdhjetë vjeç ose një personi toksikoman apo të alkoolizuar, për të cilin zbatohet një program terapeutik në një institucion të posaçëm.
3. Në rastet e parashikuara në pikën 2 arresti në burg mund të vendoset vetëm kur ka shkaqe të një rëndësie të veçantë për krimet që dënohen jo më pak në maksimum se dhjetë vjet burgim.
4. Të miturit nuk mund të arrestohen kur akuzohen për kundërvajtje penale.
Bazuar në të gjitha rrethanat e konstatuara dhe të verifikuara nga Gjykata në seancën e datës 18.10.2024, në kuadër të verifikimit dhe vlerësimit të kushteve dhe kritereve të caktimit të masës së sigurimit personal, duke marrë në konsideratë të gjitha rrethanat si më poshtë:
- Në bazë të nenit 230/2 të K.Pr.Penale, parashikohet: “2. Nuk mund të vendoset arresti në burg ndaj një gruaje që është shtatzënë ose me fëmijë nën moshën 3 vjeç dhe që jeton me të, …..”
- M. Berishaj, është nënë e një fëmije të mitur, vetëm 2 (dy) vjeç. Kujdestarinë e fëmijës së saj e ka dhe mundet ta ushtrojë vetëm ajo, askush tjetër. – Konventa Europiane për të Drejtat e Fëmijëve; Kodi i Familjes; Shiko nenin 230, pika 2 e Kodit të Proçedurës Penale: “2. Nuk mund të vendoset arresti në burg ndaj një gruaje që është shtatzënë ose me fëmijë nën moshën 3 vjeç dhe që jeton me të, ….”
- Personet nën Hetim, janë vetë-dorëzuar në Polici, në datën 16.10.2024. Në konsultim edhe me avokaten mbrojtëse, personet nën hetim, me vullnet dhe vetëdije të plotë kanë vendosur të vetë dorëzohen, dhe të përballet me përgjegjësitë ligjore, me proçedurat dhe me organin proçedues, në kuadër të këtij proçedimi penal në ngarkim të tyre.
- Të dyja personet nën hetim, si dhe avokatja mbrojtëse e tyre, të ndodhura përpara gjykatës, kanë mbajtur qëndrim pohues dhe pendues ndaj akuzës penale për të cilën ato janë aktualisht të dyshuara. Ato shprehen të keqardhura, kërkojnë ndjesë publike për çfarë ka ndodhur, si dhe janë shprehur se, janë tërësisht të gatshme për të përmirësuar dhe normalizuar marrëdhëniet me të dëmtuarën/viktimën e kësaj vepre penale, duke iu ndodhur edhe me përballimin e kostove financiare në kuadër të rehabilitimit të plotë të dëmtimit të saj fizik. Mjafton që kjo gjë të pranohet dhe të lejohet edhe nga ana e viktimës.
- Bazuar në të gjitha provat e administruar nga Gjykata, nuk provohet dhe nuk rezulton që asnjëra nga dy personen nën hetim, të jenë larguar, të kenë kaluar territorin apo kufirin shqiptar, apo të janë apo të jenë fshehur në një vend-qëndrim apo adresë tjetër, të ndryshme nga ajo e deklaruar prej vetë tyre në seancë gjyqësore përpara gjykatës.
- Po kështu, nuk rezulton të ketë një raport të mbajtur nga oficerë të policisë gjyqësore, për ndonjë kontroll të ushtruar pikërisht ndaj tyre në këtë adresë/banesë; e pikërisht në këtë adresë ato të jenë verifikuar dhe të mos jenë gjetur.
- Nuk ekziston rreziku i ikjes, apo i shmangies nga gjykimi (tashmë), në kushtet kur personet në hetim janë vetë dorëzuar për të qënë në dispozicion të këtij gjykimi dhe proçedimi penal në vijim.
- Për të dyja personet nën hetim, tashmë janë marrë të dhëna të plota, dhe të sakta, lidhur me identifikimin e plotë të tyre, lidhur me vendbanimin e saktë të tyre, me të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë e tyre familjare, si dhe me qëndrën e punës së shtetases A. Berishaj, deklaruar prej vetë tyre në seancë gjyqësore.
Gjykata çmon se, bazuar dhe argumentuar në gjithë sa më sipër arsyetohet në këtë vendim, nevojitet zëvendësimi i masës shtrënguese personale me qëllim për të garantuar maksimalisht vendimin përfundimtar, si dhe një dënim eventual në lidhje me këtë çështje penale (Vendimi Unifikues KBGJL); kjo pasi çdo masë tjetër nuk do t’i përgjigjej dhe nuk do të ishte proporcionale përkundrejt nevojave konkrete dhe aktuale të sigurimit.
Të gjitha këto rrethana tregojnë se masa e arrestit në burg, e konsideruar tashmë si nga ligji, ashtu edhe nga e gjithë praktika gjyqësore e konsoliduar si një masë përjashtimore, është jo-proporcionale për t’u aplikuar në rastin konkret. Mbi të gjitha referuar faktit që personia nën hetim M. Berishaj, është nënë dhe kujdestare e fëmijës së saj të mitur, aktualisht vetëm 2 (dy) vjeç[2].
Në të tilla kushte dhe rrethana, Gjykata vlerëson se nevojat e sigurimit mund të përmbushen edhe nëpërmjet aplikimit të masave të tjera më pak shtrënguese, të cilat krijojnë një balancë të drejtë ndërmjet nevojave të sigurimit nga njëra anë dhe lirive dhe të drejtave të njeriu nga ana tjetër.
Gjykata çmon se, bazuar dhe argumentuar në gjithë sa më sipër arsyetohet në këtë vendim, nevojitet vënia e një mase shtrënguese personale, ajo e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ndaj persones nën hetim M. Berishaj, pasi çdo masë tjetër nuk do t’i përshtatej plotësisht nevojave konkrete dhe aktuale të sigurimit.
Në këto kushte, Gjykata e konsideron të kryer konform ligjit/ nenit 248 të K.Pr.Penale: ”Marrjen në pyetje të personit të arrestuar”, për dy personet nën hetim, duke konstatuar ndryshimin e kushteve bazuar në të cilat Gjykata ka vendosur lidhur me masën e sigurimit ”Arrest në burg” në mungesë, caktuar ndaj persones nën hetim M. Berishaj.
Sakaq, bazuar në gjithë sa më sipër, Gjykata ka konkluduar për miratimin e masës së sigurimit personal të caktuar ndaj persones nën hetim A. Berishaj, e caktuar ndaj saj me vendimin Nr. 2540, datë 10.10.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke e gjetur këtë masë sigurimi proporcionale dhe të arsyeshme si me rrethanat e faktit, me sjelljen e persones nën hetim, sikurse edhe me nevojat aktuale të sigurimit në kuadër të këtij proçedimi penal.
PËR KËTO ARSYE :
Gjykata, bazuar në nenin 248, 249, 228, 229, 230/2, 234, 237 të K.Pr.Penale, si dhe në zbatim të Vendimit Unifikues nr. 1, datë 08.01.2009, në zbatim të Vendimit Nr. 5/2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si dhe në zbatim të Vendimit Unifikues të KBGJL Nr. 7/2011, Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë,
V E N D O S I :
- Kryerjen e “Marrjes në pyetje të personeve të arrestuara”.
- Komunikimin e dy të arrestuarave/ personeve nën hetim me masën e sigurimit personal të caktuar ndaj tyre me vendimin Nr. 2540 Akti, datë 10.10.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
- Verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së arrestit si të ligjshme.
- Miratimin e masës së sigurimit personal të caktuar ndaj persones nën hetim A. Berishaj, me vendimin Nr. 2540 Akti, datë 10.10.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
- Konstatimin e nevojave të sigurimit si të ndryshuara, duke zëvendësuar masën e sigurimit personal të caktuar me vendimin Nr. 2540 Akti, datë 10.10.2024, të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, nga “Arrest në burg” në “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, për personen nën hetim M. Berishaj, dyshuar për kryerjen e veprës penale “Plagosja e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 88 – 25 i K. Penal.
- Detyrohet personia nën hetim M. Berishaj, të qëndrojë duke mos u larguar nga banesa e saj, ndodhur në adresën: Rruga ., Pallati ., Hyrja ., Kati., Tiranë, e regjistruar pranë Njësisë Administrative Nr. ., Zyra e Gjëndjes Civile ., Bashkia Tiranë, banesë në të cilën jeton me fëmijën e saj të mitur.
- Urdhërohet personi nën hetim të mos largohet nga banesa e saj, e përcaktuar në këtë vendim të Gjykatës.
- Ekzekutimi dhe mbikqyrja e vazhdueshme, e pandërprerë, e kësaj mase sigurimi, në zbatim të vendimit të Gjykatës, do të kryhet nga Prokurori, nëpërmjet Policisë Gjyqësore, të cilët kontrollojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandërprerë respektimin dhe zbatimin e urdhërave të përcaktuara në këtë vendim gjyqësor – neni 237 i K.Pr.Penale.
- Urdhërohet lirimi i menjëherëshëm i persones nën hetim, duke e shoqëruar atë në banesën e saj ku është caktuar të qëndrojë, bazuar në këtë vendim gjyqësor, nëse nuk mbahet e arrestuar, e ndaluar, nën ndonjë masë tjetër sigurimi personal, apo e dënuar për llogari të ndonjë vepre apo proçedimi tjetër penal.
- Ngarkohet Policia Gjyqësore për ndjekjen dhe zbatimin e menjëhershëm të këtij vendimi.
- Shpenzimet proçeduriale si dhe ato gjyqësore sikurse janë kryer.
- Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, brenda 5 ditëve, duke filluar nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës.
- U shpall në Tiranë, sot më dt. 18.10.2024.