Është arrestuar kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Prej kohësh një lajm i tillë po përflitej kudo, teksa ditën e sotme është ekzekutuar masa e prokurorit të SPAK Sotir Kllapit, që po merrej me dosjen e tij.
Weblajm.com mëson se Meta është arrestuar tek Casa Italia në Tiranë.
Ish-presidenti është nën akuzë për pastrim parash, teksa ndaj tij dhe familjes së tij ka dhe një hetim pasuror.
Arrestimi i Metës ka ndodhur papritur, pasi ai kishte njoftuar një konferencë për shtyp në orën 13:40.
Ai është arrestuar teksa shkonte me makinë në seli për të mbajtur konferencën. Weblajm sjell më poshtë foton ekskluzive gjatë ndalimit.
Pas arrestimit të Metës, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë edhe për Monika Kryemadhin.
Ndaj deputetes është vendosur “detyrim paraqitje”.
Akuzat që rëndojnë janë pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe korrupsion.
Përveç arrestimit të Metës, janë lëshuar masa “detyrim paraqitje” për Ema Çokun ndërsa ndaj Pirro Xhixhos, babai i deputetes së PL-së, Erisa Xhixho, është vendosur masa “arrest në shtëpi”.
Hetimi ndaj Metës, Kryemadhit dhe Pirro Xhixhës dhe Ema Çokut ndiqet nga tre prokurorët Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi. Kjo pas bashkimit të dy proçedimeve Cez Dia dhe Pasurisë në një të vetëm. Masat e sigurisë janë miratuar nga Gjyqtari i Posaçëm Erjon Çela.