Sekretari organizativ i Partisë së Lirisë, Artemis Peca, i cili ishte edhe personi që po drejtonte mjetin me të cilin po udhëtonte Ilir Meta, ka treguar momentin e arrestimit të ish presidentit.
Ai ka rrëfyer se çfarë ndodhi në momentin kur makina e tyre u ndalua nga oficerët civilë të BKH.
“Pashë një postbllok, ula shpejtësinë. Më pas pashë një makinë që po na afrohej dhe pastaj na rrethuan tre makina. Dolën ca banditë me maska, me armë, na hapën dyert në mënyrë çnjerëzore dhe na thanë ‘hajdeni me ne’.
U thamë ‘kush jeni, na tregoni mandatin’, në fillim u trembëm, thashë se po na rrëmbejnë.
Pastaj pashë një makinë policie, dhe aty kuptuam që ishte policia e Dumanit dhe Ramës“, tregoi ai në një konferencë për mediat.