Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën e sugurisë “Arrest në burg” për shtetasin Yvan Zouzou, futbollist i ekipit shqiptar AlbaNet, i akuzuar për “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”.
weblajm.com ka siguruar ekskluzivisht dosjen ku tregohet skema e mashtrimit që ky shtetas kishte bërë ndaj kallëzuesit Ibrahim Bamba, të cilit i ka premtuar se do t’i gjente klub futbolli për të luajtur dhe se do t’i siguronte dokumentet e nevojshme atij dhe familjes së tij, teksa i ka marrë edhe paratë.
Sipas kallëzuesit, Yvan i ka thënë se mund ta ndihmonte nëse kishte vëllezër që donin të vinin për të luajtur futboll apo motra që të vinte për të punuar, pasi njihte një avokat që e ndihmonte për vizat dhe një menaxher në Senegal. Ai i kishte thënë se mund t’i gjente ekipe futbolli në Shqipëri, Rusi, Greqi dhe disa vende të tjera.
Kur Yvan ka folur me menaxherin, ai i ka kërkuar që kallëzuesi të paguante 1500 euro parapagim dhe Yvan i ka thënë që t’i besonte dhe të paguante. Kallëzuesi ka dërguar paratë dhe ka pritur disa muaj për të gjetur klub, por nuk i kanë gjetur asnjë. Më pas, duke patur presion nga gruaja dhe vajza për shkak se nuk po gjente një klub futbolli, është kthyer në Gjermani.
Ndërkohë, kallëzuesi ka komunikuar me prindërit për mundësinë e ardhjes në Shqipëri me dokumente dhe ata i kanë kërkuar pasaportat.
Ata ia kanë dërguar pasaportat, pasi Yvan Zouzou i ka thënë që do të bënte vizat dhe, pasi të ishin gati, do të dërgonin fotot e familjarëve, kundrejt një shume prej 2500 euro për pasaportë, në total 10,000 euro për 4 pasaporta.
Yvan Zouzou i ka dërguar fotot e vizave dhe kallëzuesi i ka thënë që do të paguante fillimisht për dy persona, që të kishte garanci, por Yvan i ka thënë se duheshin të gjitha bashkë.
Kallëzuesi, Ibrahim Bamba, i ka dërguar fillimisht 7000 euro përmes Western Union dhe MoneyGram, por shtetasi Yvan i ka kërkuar edhe pjesën tjetër prej 3000 eurosh.
Kallëzuesi ka deklaruar se pas një muaji ai i ka dhënë pasaportat, por ka vënë re që fotot e pasaportave të dërguara një muaj më parë nuk korrespondonin me fotot e pasaportave që dërgoi më pas, teksa Yvan i ka thënë që nuk ka problem dhe ata mund të udhëtojnë.
Në atë moment, ai ka dyshuar se ishte mashtrim. Për shkak të këtij fakti, ai ka përfunduar në burg në Bregun e Fildishtë për falsifikim dokumentash, si dhe ka probleme edhe në Gjermani.
Pas kësaj, shtetasi Yvan i ka thënë se vizat i kishte bërë një shqiptar dhe i ka premtuar që do të bënte viza të rregullta elektronike, e-viza, të cilat ishin më të lira, 1000 euro. Pasi kanë gjetur 12 persona për vizat, shtetasi Yvan i ka thënë që katër i merrte ai përsipër dhe 8 persona menaxheri në Senegal.
Pas dërgimit të të dhënave të personave, ka rezultuar se dy prej tyre nuk kanë mundur të udhëtojnë, pasi vizat kanë rezultuar të falsifikuara nga verifikimet e kryera në aeroport dhe zyra e emigracionit në Bregun e Fildishtë.
Kallëzuesi Ibrahim Bamba ka paguar 1000 euro për person, gjithsej 12,000 euro, dhe ka dërguar dy herë të tjera, 400 euro dhe 650 euro, për biletat.
Shtetasi Yvan Zouzou ka pranuar njohjen me shtetasin Ibrahim Bamba, si dhe faktin që i ka marrë shumën prej 7000 euro për pasaportat, ndërsa mohon të ketë marrë shumën e parave për 12 pasaportat e tjera. Ka deklaruar se i ka thënë shtetasit Ibrahim se kishte njohje dhe mund ta ndihmonte për të sjellë familjarët e tij, duke e vënë në kontakt me një shtetas që do të bënte vizat.
Kallëzuesi Ibrahim Bamba ka paraqitur disa transferta, të cilat janë ndërmjet tij dhe shtetasit Yvan Zouzou në Western Union dhe MoneyGram. Shtetasi Yvan ka deklaruar se ka patur komunikimin me një shqiptar me emrin Fabi, i cili e ka ndihmuar për të gjetur pasaportat sipas tij.
Lidhur me rastin, policia ka ndaluar shtetasin Yvan Zouzou, i dyshuar për kryerje të veprës penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”.
Prokuroria kërkon ndaj Yvan Zouzou masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Njoftimi Policisë
DVP TiranëFinalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, operacioni policor i koduar “Viza”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt pagesës. Ndalohet një 21-vjeçar (futbollist), i cili siguronte viza turistike të falsifikuara, për shtetas të huaj, me qëllim hyrjen në Shqipëri dhe më pas kalimin në mënyrë të paligjshme në vendet e BE-së. Procedohen penalisht 2 shtetas të tjerë, pasi dyshohet se ndihmonin 21-vjeçarin. Sekuestrohen 13 viza të dyshuara të falsifikuara, mandate transfertash, dokumente të tjera dhe 2 celularë. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve me vendet e BE-së, nëpërmjet tranzitimit në territorin shqiptar, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë goditur një rast të kësaj veprimtarie kriminale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Viza”. Gjatë operacionit u ndalua shtetasi Y. Z., 21 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit Sh. S., 43 vjeç, banues në Tiranë, dhe I. B., 27 vjeç, banues në Gjermani. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi Y. Z. siguronte viza të dyshuara të falsifikuara, kundrejt pagesës, për shtetas të huaj, kryesisht nga Lindja e Mesme, për të hyrë në Shqipëri, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve me vendet fqinje, për të kaluar më pas në shtetet e tjera të BE-së. Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit Sh. S. dhe I. B., të cilët dyshohet se ndihmonin 21-vjeçarin, në këtë veprimtari kriminale. Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.Materialet i kaluan Prokurorisë.