Pavarësisht pritshmërive optimiste se turizmi do të kishte një vrull të ngjashëm me pranverën edhe gjatë vjeshtës, duket se shifrat e shtatorit kanë zhgënjyer disi. Sigurisht numri i të huajve që kanë vizituar vendin ka ardhur në rritje në raport me shtatorin e një viti më parë por kjo shifër është rreth 3.8 për qind më shumë. Ky është muaji i dytë me rritjen më të ulët gjatë këtij viti pas korrikut kur rritje ishte vetëm 2.69 për qind.
Lëvizjet e shtetasve të publikuara nga Instituti i Statistikave për muajin e nëntë të vitit tregojnë se në total numri i të huajve që hynë në Shqipëri nga janari në shtator ishte 9.6 milionë.
“Gjatë muajit Shtator 2024, rezultojnë të kenë hyrë, në territorin e Republikës së Shqipërisë, 1.794.274 shtetas shqiptar dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 8,7%, krahasuar me Shtator 2023. 1.927.816 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 12,6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në Shtator 2024, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 648.184, duke pësuar një rritje me 18,6%, krahasuar me Shtator 2023. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.146.090. Ky numër është rritur me 3,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023”, thuhet në publikimin e INSTAT.
Sa i takon daljeve në muajin Shtator 2024, 698.268 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 14,2%, krahasuar me Shtator 2023. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Shtator 2024, janë 1.229.548. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 11,7%.
Në Shtator 2024, 95% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës. Evropa Jugore zë 69% të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti Evropian, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 12%.
Gjatë këtij viti turizmi ka regjistruar luhatshmëri të theksuar ndikuar kjo nga disa faktorë. Me një start të mirë gjatë fillimit të vitit kur rritja ishte dyshifrore me një rekord në shkurt 2024 krahasuar me shkuar 2023 kur u regjistruan 55.3 për qind më shumë shtetas të huaj që hynë në vend apo në mars me 47.1 për qind pritshmëria ishte që viti të mbante një ritëm të kënaqshëm.
Por rritja e beftë e çmimeve në fillim të sezonit veror në disa rajone, çka ndiko perceptimin se Shqipëria u bë e papërballueshme dha një goditje të rëndë për muajt korrik, gusht. Një grup turistësh që munguan si efekt i këtij perceptimi por më shumë si efekt i zhvlerësimit të euro ishin shqiptarët e Kosovës të cilët historikisht kanë mbajtur peshën kryesore të vizitorëve.
Tek këta të fundit ndikoi gjithashtu edhe liberalizimi i vizave. Aktualisht Shqipëria po vijon të mbetet një destinacion i preferuar i të huajve ku shifrat e vizitorëve edhe në disa muaj me rritje më modeste kanë ardhur në rritje por në pikëpyetje tashmë po vihet qëndrueshmëria e kësaj rritjeje dhe masat që duhet të merren për ta mbajtur këtë interes si destinacion turistik./Monitor