Një 78-vjeçar i identifikuar si Walter Budri, shtetas italian, ka rënë në prangat e policisë pasi ka vrarë 45-vjeçarin shqiptar Dritan Hakaj.
Ngjarja ndodhi ditën e djeshme përpara banesës së pensionistit në rrugën Varese në Garbagnate Milanese, në veri të Milanos.
Sipas mediave italiane, viktima kishte një lidhje jashtëmartesore me bashkëshorten e autorit, arsye që ka çuar dhe në aktin e rëndë.
Nga hetimet e para Hakaj frekuentonte shtëpinë ku jetonte Budri me gruan e tij, gjithashtu shqiptare. Por në orën 3 të mëngjesit, 26 tetor, 45-vjeçari mbërrin i dehur në banesën e çiftit. Ai sulmon gruan, përballë djalit të saj 11-vjeçar, të cilin e kishte pasur nga një lidhje e mëparshme.
Në shtëpi ishte edhe bashkëshorti i saj, I cili me një pistoletë Beretta 22 qëllon 2 herë në ajër për të trembur ‘të dashurin e gruas’ shkruan Corriere della Sera .
Viktima ka dalë nga apartamenti dhe ka zbritur shkallët në tentativë për t’u larguar, ndërkohë i moshuari e ka ndjekur me ashensor dhe të dy u takuan në katin e parë, ku ka pasur dhe një tjetër përleshje mes të dyve si dhe një plumb tjetër në ajër.
Katër gëzhoja pistolete janë gjetur në vendngjarje nga policia, ndërsa njëra ka goditur 45-vjeçarin në gjoks.