Prej më shumë se një orë ka nisur protesta e opozitës.
Akset kryesore të vendit që janë bllokuar janë: “Tiranë–Durrës”, pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës-Tiranë”, pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar–Milot”, pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan–Tiranë”, te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës–Fier”, te rrethrrotullimi i Rrogozhinës dhe “Levan–Tepelenë”, te rrethrrotullimi i Levanit.
Shumica e deputetëve të opozitës janë vendosur në Tiranë, kurse pjesa tjetër në zonat e tjera.
Disa protestues kanë djegur goma makinash në mbikalimin e Shkozetit, teksa vazhdojnë të pengojnë qarkullimin e mjeteve.
Një pjesë e deputetëve të Partisë Demokratike janë vendosur në pjesën e hyrjes së Tiranës, mes aksit që lidh kthesën e Kamzës me ish-sheshin Shqiponja.
Nga ana tjetër policia apelon për lirim rrugësh teksa shprehet:
“Dënohet deri në 3 vite burg ju lutem hapuni rrugën policia e shtetit ju bën thirrje largohuni nga rruga, mos pengoni qarkullimin e automjeteve, deri në 3 vite burg”.
Dhjetëra forca policore dhe zjarrfikëse ndodhen në terren për të shmangur përshkallëzimin e tubimit.



