Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në lagjen Dobraç, në afërsi të 5 heronjve në Shkodër.
Viktimë ka mbetur Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, dhe Flutura Basha, një kalimtare e pafajshme që po udhëtonte me bashkëshortin e saj me motor. Ndërsa në atentat u plagos rëndë Arlind Bushati, djali Xhemal Bushatit, ish-kandidati i PD për kryebashkiak dhe bashkëshorti i kalimtares që humbi jetën, Bashkim Basha. Arlindi ndërroi jetë pas disa orë trajtim në spital.
Një makinë në lëvizje me autorë ende të paidentifikuar qëlloi në armë zjarri drejt Hamza Licit dhe Arlind Bushatit.
Lici ndërroi jetë, ndërsa Arlind Bushati nuk mundi t’i shpëtojë dot vdekjes edhe pas ndërhyrjes së bluzave të bardha pasi ai kishte marë një plumb në kokë.
Hamza Lici është vëllai i Ibraim Licit, i kërkuar për vrasje.
Përpara disa ditësh Bushati denoncoi në polici edhe një atentat të dështuar ndaj tij në qendër të qytetit të Shkodrës.
Ai po qëndronte jashtë një lokali kur dy të rinj janë afruar me motor dhe i kanë drejtuar armën, por dyshohet se arma u është bllokuar.
Dyshimet e para nga atentati janë përplasjet mes dy grupeve, Bajrave dhe Licëve.
Njoftimi nga Policia:
Rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip Benz, në lëvizje, me të cilin qarkullonin shtetasit H. L. dhe A. B.
Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën shtetasi H. L., dhe është plagosur rëndë shtetasi A. B.
Automjeti që udhëtonin shtetasit H.L dhe A.B, dyshohet ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur një motoçikletë që udhëtonte shtetasi B.B dhe bashkëshortja e tij shtetasja F.B, ku si pasojë e përplasjes së automjetit me motomjetin ka ndërruar jetë shtetasja F.B dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital shtetasi B.B
Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Shkodër, si dhe janë nisur në ndihmë 2 grupe të Repartit Special “RENEA”.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Po në ndihmë të grupit hetimor është nisur dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale me një grup specialistësh të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda
Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente të ndryshme, si dhe kanë ngritur pika kontrolli, për të bërë të mundur kapjen e autorëve.
Nga kontrolli i territorit, Policia e Shkodrës ka gjetur një automjet tip Land Rover model tip i ri të djegur në zonën e Grudës së Re. Brenda saj janë gjetur 2 automatikë, të cilët dyshohet se janë përdorur në ngjarje.