Policia e Shtetit ka bërë me dije se ka kallëzuar në SPAK 16 deputetë të opozitës, pas bllokimit të rrugëve ditën e djeshme gjatë tubimit.
Kujtojmë se ditën e djeshme Policia bëri thirrje që të mos bllokoheshim rrugët, pasi përndryshe personat përgjegjës do të përballeshin me drejtësinë.
Në njoftimin zyrtar, policia thotë:
“Janë arrestuar 4 shtetas, 3 në Elbasan dhe 1 në Tiranë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe/ose “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Janë referuar materialet në prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 195 shtetas, përkatësisht 92 në Durrës, 36 në Fier, 33 në Tiranë, 20 në Elbasan dhe 14 në Lezhë. Janë shpallur në kërkim 5 shtetas, përkatësisht 3 në Elbasan dhe 2 në Tiranë.
Janë referuar materialet në SPAK, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 16 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë (4 në Tiranë, 4 në Durrës, 3 në Fier, 3 në Elbasan dhe 2 në Lezhë) dhe për kryetarin e bashkisë Kavajë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Ditën e djeshme, këta shtetas janë grumbulluar në pikat lidhëse të qyteteve Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe Lezhë dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve. Gjithashtu, disa prej tubuesve kanë lënë automjetet e tyre në rrugë, me qëllim bllokimin e qarkullimit.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e drejtuesve të automjeteve me të cilat u bllokua qarkullimi, si dhe në drejtimin e prokurorive kompetente, po hetohet për të identifikuar shtetasit e tjerë të implikuar në paligjshmëri gjatë këtyre tubimeve”.