Dy linja hekurudhore shqiptare Durrës-Hani i Hotit dhe Rrogozhinë – Maqedoni e Veriut u shpallën pjesë e Rrjetit të rëndësishëm Europian të Transportit Hekurudhor.
Korniza e investimeve për Ballkanin Perëndimor së fundmi publikoi hartën e re të rrjetit kryesor të transportit në Europë (European Transport Corridors The TEN-T policy is based on Regulation (EU) 2024/1679)”, ku janë konsideruar me prioritet të lartë dy segmentet e rëndësishme hekurudhore në vendin tonë një që shoqëron Korridorin VIII nga Durrësi në Maqedoninë e Veriut dhe tjetra që shoqëron Korridorin Veri -Jug nga Durrësi në Hanin e Hotit.
Siç shihet në hartën bashkëngjitur që u publikua këto ditë, projektet shqiptare hekurudhore janë pjesë e prioriteteve të BE si pjesë e linjave kryesore të transportit. Si rrjedhojë BE dhe bankat e zhvillimit janë financuesit kryesor të këtyre projekteve.
Plotësimi i infrastrukturës rrugore në të dy Korridoret është duke u realizuar nga qeveria shqiptare, e cila ka marrë angazhimin për financimin e segmenteve në Korridoreve Europiane që kalojnë në Shqipëri.
Ditët e fundit rreth 150 milionë euro u tenderuan për segmentet e Korridorit 8, teksa janë në proces tenderimi dhe ndërtimi edhe segmentet e tjera të korridorit Veri-Jug.
Sipas Kornizës së Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor, rehabilitimi i hekurudhës, Vorë – Hani i Hotit ka një kosto rreth 340 milionë euro, për një gjatësi 120 km, me synimin për të përfunduar në vitin 2027.
Linja hekurudhore e Korridorit VIII në pjesën shqiptare është mbi 150 kilometër nga Durrësi në Maqedoninë e Veriut. Financimet janë gjetur për 33 kilometrat e para nga Durrësi në Rrogozhinë.
Korridori VIII hekurudhor formon lidhjen e brendshme lindje-perëndim midis Detit të Zi dhe Detit Jon, duke kaluar përmes Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Me ndihmën financiare të BE-së për përgatitjen e projekteve dhe bashkëfinancimin e investimeve sipas planit ekonomik dhe investimeve, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po përmirësojnë linjat ekzistuese dhe duke ndërtuar hallkat që mungojnë përgjatë korridorit dhe për të hequr pengesat.
Investimet në transportin hekurudhor po nxiten më tej nga bankat dhe qeveritë dhe kanë më shumë gjasa të marrin financime në kuadër të përpjekjeve globale për zbutjen e ndikimeve të klimës drejt në ekonomie të gjelbër.
Me gjithë përpjekjet e BE për të çuar para projektet në Ballkan, që lidhen me rrjetet kryesore të Europës, problemet e brendshme me shpronësimet dhe zbatimin e projekteve, po sjellin vonesa për përfundimin e tyre./ Monitor