Pas një lufte të gjatë për jetën, 67-vjeçari Bashkim Basha ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës, duke e çuar në katër numrin e viktimave të atentatit të rëndë që ndodhi më 30 tetor në zonën e Dobraçit. Basha dhe bashkëshortja e tij, Flutura Basha, u bënë viktima të pafajshme të përplasjes, e cila ndodhi pasi automjeti i Hamza Licit dhe Arlind Bushatit u godit me breshëri plumbash nga atentatorët ende të paidentifikuar.
Çifti Basha po lëvizte me motor kur makina e atentatit, e cila humbi kontrollin nga breshëritë e armëve, u përplas me ta. Për pasojë, Flutura Basha ndërroi jetë menjëherë, ndërsa Bashkimi luftoi për jetën për katër ditë, por fatkeqësisht nuk mbijetoi. Ata ishin prindër të dy fëmijëve të rritur, një vajze dhe një djali.
Sipas hetimeve të policisë, ngjarja e rëndë ndodhi kur makina e Licit dhe Bushatit, e cila po lëvizte në rrugën “Shkodër-Koplik”, u sulmua me armë zjarri.
Në datën 30 tetor, Hamza Lici dhe miku i tij Arlind Bushati po lëviznin me automjetin e tyre në një zonë të njohur për praninë e fisit Bajraj, kur atentatorët i zunë në pritë dhe i goditën me breshëri plumbash. Të dy mbetën të vdekur në vend, ndërsa makina e tyre humbi kontrollin dhe përplasi motoçikletën ku udhëtonte çifti Basha.
Një video e realizuar në vendngjarje pas atentatit ka ngritur dyshime për praninë e një personi të tretë në makinën e Licit, i cili mund të jetë Ibrahim Lici, vëllai i Hamzait, aktualisht i shpallur në kërkim. Grupet hetimore janë fokusuar në shqyrtimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë në qytet për të zbuluar lëvizjet e atentatorëve, të cilët më pas dogjën makinën e përdorur për të shmangur gjurmët.
Policia ka shpallur gjithashtu në kërkim dy të dyshuar të tjerë, Izmir Sakicaj dhe Samuel Troshani, të cilët mund të kenë qenë të përfshirë në organizimin ose ekzekutimin e sulmit. Dyshimet janë se individë të tjerë nga grupi i Bajrajve mund të kenë luajtur rol në atentat, por deri tani nuk janë kapur prova për të vërtetuar.