SPAK ka shpallur pretencën për Talo Çelën lidhur me grabitjen e bujshme të miliona eurove në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, e cila ndodhi në prill të vitit 2019. Prokuroria kërkon një dënim prej 19 vitesh burg për Çelën, i cili gjykohet në mungesë, ndërsa avokati i tij ka kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me materialin e paraqitur nga SPAK.
Dosja e hetimit përfshin komunikimet e Talo Çelës në platformën SKY ECC me anëtarë të tjerë të grupit kriminal. Megjithatë, avokati i tij ka vënë në dyshim legjitimitetin e këtyre bisedave, duke i cilësuar si indicie dhe jo prova të forta.
Në bisedat e SKY ECC, Çela shprehte shqetësimin për mundësinë e gjetjes së provave që lidhnin emrin e tij me grabitjen e madhe, duke pohuar se, nëse identiteti i tij bëhej publik, do të largohej në Brazil dhe do të ndryshonte identitet.
Seanca e ardhshme gjyqësore për Talo Çelën është caktuar të mbahet më 21 nëntor në orën 10:00. Çela mbetet një nga personat më të kërkuar në Shqipëri, pas përfshirjes së tij të dyshuar në disa krime të rënda, përfshirë operacionin e koduar “Plumbi i Artë” që çoi në arrestimin e figurave të tjera të krimit si Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj.
Për grabitjen e vitit 2019, GJKKO në tetor të vitit 2022 dha një dënim total prej 122 vitesh burg për shtatë anëtarët e grupit kriminal. Klement Çala u dënua me 20 vite burg, ndërsa pjesëtarët e tjerë, Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Cela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala, u dënuan me nga 17 vite burg secili. Të gjithë po vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.