Në prangat e policisë ka rënë shtetasi Alban Muçi, i akuzuar për ‘Mashtrim’ dhe ‘Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore’.
Sipas prokurorisë, ky person u paraqit në zyrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) në Berat duke pretenduar se ishte prokuror në SPAK dhe premtonte të ndërhynte në zgjidhjen e çështjeve apo problematikave kundrejt parave.
Mësohet se ky shtetas ishte me precedent penal dhe i dënuar më parë për veprat penale “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” dhe “Mashtrimi”, pasi iu merrte qytetarëve të ndryshëm para duke pretenduar se ishte prokuror në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.
‘Ky shtetas është prezantuar me të njëjtën detyrë, pranë ASHK Berat dhe Skrapar, dhe ka kërkuar dosje specifike të çështjeve që ishin në hetim nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat’.