Popullsia e qytetit të Tiranës, pa përfshirë njësitë administrative ish-komuna, rezultoi 389,323 banorë në censin e vitit 2023, me një ulje prej 7% ose 29,172 banorë më pak se të dhënat e censit të vitit 2011, ku u numëruan 418,495 banorë (shiko tabelën e mëposhtme).
Të dhënat e detajuara të censit 2023 për popullsinë dhe banesat në Bashkinë e Tiranës tregojnë për zhvendosje të mëdha të popullsisë nga qyteti në ish-komuna dhe në fshat. Pakësimi i popullsisë brenda kufijve të bashkisë së qytetit ka ndodhur në zhvillim të kundërt me volumet e larta të ndërtimit brenda qytetit, përfshirë kulla dhe komplekse pallatesh. Banorët e kryeqytetit janë zhvendosur drejt skajeve.
P.sh., popullsia e Kasharit, një ish-komunë, u rrit me 106% ndërmjet dy censeve. Në vitin 2023, në Kashar rezultuan mbi 89 mijë banorë nga 43 mijë që ishin në vitin 2011. Komuna e Kasharit përjetoi zhvillim të shpejtë në ndërtimin e objekteve për banim, por nuk ishte i mirë-studiuar, pasi nuk u shoqërua me infrastrukturën mbështetëse si shkolla dhe qendra shëndetësore.
Më pas, rritjen më të madhe të popullsisë e ka ish-komuna e Dajtit, popullsia e së cilës arriti në mbi 35 mijë banorë me një rritje prej 74% nga viti 2011.
Komuna e Farkës gjithashtu kishte rritje prej 60% të popullsisë ndërmjet 2011 dhe 2023, duke shënuar 36 mijë banorë aktualisht. Gjithashtu, ish-komuna e Petrelës regjistroi mbi 5,700 banorë në vitin 2023, me një rritje prej 21% nga viti 2011.
Në tetë ish-komuna të tjera, si Peza, Berzhita, Ndroqi, Baldushku, Zall-Bastar, Krraba, Shëngjergji dhe Zall-Herri, popullsia ka rënë me ritme dyshifrore ndërmjet dy censeve.
Lëvizjet e popullsisë tregojnë se qyteti i Tiranës po bëhet gjithnjë e më i pajetueshëm dhe i shtrenjtë, sidomos për familjet e reja. Në dhjetë vitet e fundit, familjet e reja kanë preferuar të blejnë prona në periferi të Tiranës, ndërsa territori i qytetit të vjetër është pakësuar për shkak të emigrimit, rënies së lindjeve dhe zhvendosjes në periferi.
Të dhënat sugjerojnë se popullsia me nivel ekonomik mbi mesataren është zhvendosur nga Tirana në komplekset rezidenciale të ngritura në ish-komuna, ndërsa familjet e reja kanë preferuar të nisin jetën në periferi, si ish-komunat e Dajtit dhe Kasharit, pasi janë më të përballueshme për blerjen e shtëpive.
Rritjet e çmimeve të banesave në Tiranë, edhe në kushtet e rënies së popullsisë, po bëhen shkak për zhvendosje gjithnjë e më të madhe të popullsisë së re në zonat periferike jashtë qytetit./ Monitor