weblajm.com zbardh listën e emërimeve të 12 drejtorëve të rinj të Policisë sipas qarqeve.
Pak javë pasi u hap gara për përzgjedhjen e tyre, mësohet se Policia e Tiranës pritet që të ketë drejtor Elton Allushin, ndërsa Vilson Alushi i cili u përfol se do të drejtonte qarkun e Tiranës, rezulton i emëruar në Durrës.
Emrat e drejtuesve:
Elton Alushi Tiranë
Erjon Ahmeti Korçë
Luigj Vathi Berat
Artion Duka Dibër
Fatmir Hoxha Elbasan
Gentian Berberi Kukës
Altin Mena Lezhë
Skënder Hitaj Fier
Fatmir Lleshi Shkodër
Elidon Çela Vlorë
Altin Merizaj Gjirokastër
Vilson Bala Durrës
Kujtojmë se në garën për të zgjedhur drejtuesit e rinj në qareqe shprehën interes 42 aplikantë, 4 prej të cilëve u tërhoqën nga gara duke humbur kështu mundësinë për të drejtuar një nga qarqet e vendit.
Ministri i Brendshëm Ervin hoxha ka prezantuar sot 12 drejtuesit e policisë në qarqe.Ai ka dhënë porositë për ta, duke vënë theksin tek atentati me katër viktima në Dobraç të Shkodrës, ku tha se autorët duhet të shkojnë sa më shpejt para drejtësisë.
Prezantimi i 12 drejtorëve të rinj vendorë të Policisë- Fjala e Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha:
I nderuar Kryetar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare,
I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,
Të nderuar drejtues dhe përfaqësues të Policisë së Shtetit,
Sot përmbyllet një tjetër fazë e procesit konkurrues, meritokratik, transparent, bazuar në reformën më të re të ligjit të mazhorancës parlamentare, për emërimin e drejtuesve të Policisë në qarqe.
Kemi 12 drejtues të rinj të Policisë, të dalë nga konkursi ku morën pjesë 43 konkurrentë dhe të cilët përfaqësojnë një gjeneratë të re oficerësh, që pas një eksperience të krijuar që nga shkalla e parë e karrierës, marrin sot barrën e drejtimit të uniformave në 12 drejtoritë e policisë në qarqe.
Dua të falënderoj të gjithë drejtuesit e derisotëm, të cilët meritojnë respektin tonë për kontributet e çmuara në karrierën e tyre të gjatë në Policinë e Shtetit dhe kam besim se me bagazhin e eksperiencës së tyre do të jenë një mbështetje shumë e madhe e mëtejshme në çdo detyrë tjetër të shërbimit të Policisë së Shtetit.
Vizioni ynë Shqipëria 2030 dhe ambicia jonë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade – ku përmbushja e të gjitha kritereve dhe anëtarësimit na sfidon të gjithëve për të bërë çdo ditë më shumë – na imponon thellimin e të gjithë progresit të bërë në transformimin e Policisë së Shtetit.
Drejtuesit që sot marrin detyrën, janë përzgjedhur për kompetencën dhe aftësinë e tyre, por edhe për integritetin e figurës, për të cilin është bërë një qëmtim i veçantë në bashkëpunim me organet përkatëse ligjzbatuese.
Siguria e lartë nuk është vetëm një ambicie, por një e drejtë e çdo qytetari dhe komuniteti në Republikën e Shqipërisë, pa harruar miliona vizitorët e huaj, që tanimë janë pjesë e jetës së përditshme të shqiptarëve anembanë vendit.
Drejtuesit e rinj të Policisë së Shtetit do të sigurojnë praninë e strukturave të rendit në çdo cep të Shqipërisë, forcimin dhe lidhjen me qytetarët e me komunitetet dhe reagimin e shpejtë ndaj ngjarjeve kriminale, të mëdha a të vogla. Për shembull një nga ngjarjet si ajo e javëve të shkuara në Shkodër, duhet zbardhur plotësisht dhe autorët duhet të shkojnë prapa hekurave sa më shpejt.
Rënia e numrit të vrasjeve vit pas viti, duhet të vazhdojë drejt normalitetit mesatar të policive europiane, por ne duhet të synojmë edhe më shumë se sa kaq, sepse asgjë nuk na pengon të shkëlqejmë në këtë drejtim në rrugën tonë. Por edhe çdo ngjarje e vogël, që nuk bën lajm e bujë, por që cenon sigurinë e pronës dhe qetësinë e qytetarëve apo familjeve, duhet të marrë vëmendjen e duhur nga Policia e Shtetit.
Në këtë sens duhet të marrin fund praktikat e shqetësimit të qytetarëve në fshat, që ngacmohen nga punonjës të papërgjegjshëm të policisë për riparimin e një palë shkallëve ose një avllie, ndërkohë që Policia e Shtetit ka mision tjetër dhe fokusin e saj duhet ta përqendrojë në rastet e abuzimeve të pajustifikueshme në zonat turistike, shtretërit e lumenjve apo rrugët e vendit, ku çdo ndërhyrje e paligjshme e çdo natyre përbën një vepër penale.
Nga ana tjetër modernizimi i shërbimeve policore kërkon një hov të mëtejshëm.
Policia e Shtetit 2030 duhet të jetë një polici e pajisur me sistemet e nevojshme teknologjike, të inteligjencës digjitale dhe është e papranueshme që të mos shpenzohen fondet e veçanta, të vëna në dispozicion nga qeveria për këtë ambicie madhore, thjesht e vetëm nga inkompetenca dhe zvarritjet e shkaktuara prej burimesh njerëzore të papërshtatshme për këtë mision dhe për të kryer këto detyra.
Drejtoria e Përgjithshme dhe drejtuesit e rinj duhet t’u kushtojnë një vëmendje të veçantë projekteve inovative, të cilat na ndihmojnë tejmase për të kontrolluar territorin, mbikëqyrur trafikun, parandaluar dhe goditur kriminalitetin.
Le të jemi më të qartë dhe të vetëdijshëm se lufta kundër kriminalitetin, kërkon jo vetëm përballje frontale me çdo fenomen dhe element kriminal, por edhe një vullnet të palëkundur për vetëpastrim në radhët e Policisë së Shtetit nga çdo element i prekur prej virusit të krimit apo të korrupsionit.
Bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në çdo qark, me Prokurorinë e Posaçme në qendër, si edhe me Shërbimin Informativ të Shtetit është pozitiv, por duhet ngritur në nivele shumë më të larta. Shqipëria është një vend i vogël dhe bashkëveprimi i këtyre strukturave kyçe të sigurisë është kyç për një sukses të sigurtë dhe të qëndrueshëm në Shqipëri pa telashe të lidhura me krimin e me rendin publik në tërësi.
Këto përzgjedhje që hyjnë sot në fuqi, anë më shumë se një emërim dhe rutinë e disa oficerëve të rinj në drejtimin. I gjithë ky ekip i ri është njëkohësisht besim tek një gjeneratë e re dhe ambicie drejt një niveli të ri të shërbimit të Policisë së Shtetit.
Ky proces konkurrues, meritokratik e transparent, do të vazhdojë më tej, për të zgjedhur drejtuesit e rinj në 48 komisariate të policisë në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Aktualisht kemi një numër prej 290 konkurruesish që do të marrin pjesë në një garë për 48 pozicionet e ardhshme.
Iu kërkoj sot drejtuesve të rinj të policisë të kenë një qasje më proaktive ndaj ankesave të qytetarëve por edhe shqetësimeve e problematikave që media ngre, duke i trajtuar ato me seriozitet, transparencë dhe paanshmëri.
Së fundmi, por jo për nga rëndësia, po lexoj emrat e anëtarëve të ekipit të ri drejtues:
Drejtuesi i qarkut Tiranë, Drejtues Elton Alushi
Drejtuesi i qarkut Durrës, Drejtues Vilson Bala
Drejtuesi i qarkut Fier, Drejtues i Parë Skënder Hitaj
Drejtuesi i qarkut Elbasan, Drejtues
Fatmir Hoxha
Drejtuesi i qarkut Shkodër, Drejtues i Parë Fatmir Lleshaj
Drejtuesi i qarkut Korçë, Drejtues Erion Ahmeti
Drejtuesi i qarkut Vlorë, Drejtues Elidon Çela
Drejtuesi i qarkut Lezhë, Drejtues Altin Mena
Drejtuesi i qarkut Gjirokastër, Drejtues Altin Merizaj
Drejtuesi i qarkut Berat, Drejtues Luigj Vathi
Drejtuesi i qarkut Kukës, Drejtues Gentian Berberi
Drejtuesi i qarkut Dibër, Drejtues Artion Duka
Faleminderit, suksese dhe besim të gjithë stafit të drejtuesve të rinj të Policisë së Shtetit!