Një biznesmen amerikan u prangos në Tiranë nën akuzën për prodhim dhe shpërndarje të materialeve pornografike me të mitur.
Shtetasi David Ira Lang, u vu në pranga pas një hetimi disa mujor nga Njësia Kundër Krimeve Kibernetike, dhe zyra rajonale e sigurisë së Ambasadës së SHBA-së në Tiranë dhe Prokuroria e Tiranës. Ai dënuar edhe më parë në Rusi për vepra të ngjashme, Lang dyshohet se prodhonte materiale pornografike në një banesë në Shqipëri, ku u gjetën pajisje dhe mjete për këtë aktivitet të paligjshëm.
Sipas raportimeve të mediave ruse, Lang ishte një ish-mësues i anglishtes dhe konsulent biznesi nga Nju Jorku.
Ai akuzohet se kishte drejtuar një studio të paligjshme për filma pornografikë në Chelyabinsk për nëntë vite, duke përfituar shuma të konsiderueshme nga shitja e materialeve me të mitur.
Vajzat e kontaktuara me mashtrime përmes një agjencie reklamash, detyroheshin të pozonin sipas kërkesave të Lang-ut, dhe disa prej tyre ktheheshin disa herë në këmbim të parave që u ofronte.
Njoftimi nga policia:
Finalizohet pas disa muajsh hetime operacioni policor i koduar “Gjurma virtuale”.
Operacioni, rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Task Forcës për Shërbimet e Përbashkëta Investiguese në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Njësisë kundër Krimeve Kibernetike, me Zyrën Rajonale të Sigurisë së Ambasadës së ShBA në Tiranë (RSO/OCIU) dhe me Prokurorinë e Tiranës.
Prodhonte dhe posedonte materiale pornografike me të mitur, arrestohet 71-vjeçari (shtetas amerikan, me precedent penal jashtë Shqipërisë).
Hetimet disamujore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjurma virtuale” rezultuan me identifikimin dhe ndalimin e shtetasit amerikan D. L., 71 vjeç, banues në Tiranë.
Ai dyshohet se në Shqipëri, prodhonte dhe posedonte materiale pornografike me të mitur.
Në zbatim të urdhrit të Prokurorit, për ekzekutimin e vendimit të gjykatës, për lejim të kontrollit, Departamenti i Policisë Kriminale kreu kontroll në banesën e 71-vjeçarit, ku gjeti dhe sekuestroi pajisje elektronike dhe materiale të tjera, që kanë shërbyer për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.