Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka reaguar me një mesazh për ngjarjen tragjike të ndodhur sot në afërsi të shkollës ‘Fan Noli’.
Ai i shprehu ngushëllime familjes së 14-vjeçarit që mbeti viktimë, teksa uroi shërimim e nxënësit tjetër që mbeti i plagosur.
Mesazhi i plotë i Presidentit të Republikës:
Ndarja nga jeta e 14-vjeçarit është për të gjithë ne një dhimbje e madhe. Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij!
Gjithashtu, uroj nga zemra shërim të shpejtë e të plotë për nxënësin e plagosur!
Kjo ngjarje e rëndë na shqetëson dhe na ngarkon me përgjegjësi për mjedisin ku po rrisim dhe edukojmë fëmijët tanë, duke përfshirë shoqërinë, shkollën dhe familjen.
Si shoqëri, kemi një sfidë të madhe përpara: Të frenojmë promovimin e dhunës në rrjetet sociale dhe hapësirën online, si dhe të ndalojmë çdo lloj shfaqje të dhunshme në shoqërinë tonë.
Fëmijët dhe të rinjtë tanë meritojnë të orientohen drejt modeleve pozitive të punës, shkollimit dhe arritjeve nëpërmjet tyre.