Mallkimi për të qenë të varfra po ndjek bashkitë e vogla të Veriut, të cilat po vuajnë shpopullimin e shpejtë, mungesën e infrastrukturës dhe burimeve të mjaftueshme për të zhvilluar standardet e jetesës.
Vitin që vjen, buxheti i shtetit do të akordojë 42 miliardë lekë (420 milionë euro) fonde në formën e transferimit të pakushtëzuar tek njësitë e pushtetit vendor, me rritje gati 17% më shumë se vitin e kaluar.
Duke krahasuar nivelin e transferimit për secilën bashki, shihet se ato të Veriut (përveç Kukësit) kanë rritje të financimeve më pak se mesatarja kombëtare. Sipas përpunimit të të dhënave nga Ministria e Financave, në vitin 2025 bashkitë e Devollit, Vorës, Dimalit, Sarandës, Roskovecit, Konispolit, Finiqit, Belshit dhe Dropullit marrin nga transferimi i pakushtëzuar 22-24% më shumë fonde se viti i kaluar.
Në anën tjetër, bashkitë e Malësisë së Madhe, Shkodrës, Vlorës, Tropojës, Divjakës, Maliqit, Dibrës kanë rritje të buxheteve nga transferimi më pak se 14%. Shkodra dhe Malësia e Madhe kanë rritjen më të ulët. Përveç Kamzës dhe Kukësit, të gjitha bashkitë e Veriut kanë rritje fondesh më pak se mesatarja kombëtare.
Ministria e Financave, në relacionin e projektbuxhetit 2025, vuri në dukje se ndarja e fondeve në transferimin e pakushtëzuar mori në konsideratë të dhënat e censit 2023. Në bashkitë ku do të kishte rënie të madhe të popullsisë, rritja e fondeve do të ishte më e ulët.
Studime të tjera kanë treguar se reduktimi i banorëve në bashkitë e Veriut erdhi nga niveli i lartë i varfërisë dhe burimet e kufizuara të jetesës, sidomos për të rinjtë. Kështu, raporti popullsi-financim nga buxheti është futur në një rreth vicioz. Njerëzit zhvendosen nga bashkitë e varfra, ndërkohë që qeveria redukton burimet më tej pasi ka më pak njerëz.
Sipas të dhënave të censit 2023, Bashkia e Shkodrës kishte reduktimin më të madh të popullsisë në krahasim me të tjerat.
Detajimi i transferimit sipas vlerës tregon se Bashkia e Tiranës merr financimet më të mëdha nga buxheti me rreth 6,1 miliardë lekë vitin që vjen, ose 16.8% më shumë se në 2024. Transferimi për Bashkinë e Tiranës zë 14.4% të totalit të fondit të përllogaritur për vitin që vjen.
Bashkitë vuajnë mungesën e fondeve për të zhvilluar planet vendore, por nga ana tjetër nuk kanë kapacitetet për t’i menaxhuar ato, pasi në vitin 2023 shumica e tyre “dogjën” fondet për investime publike./Monitor