Faturat e çështjeve që përfundojnë në gjykatat e arbitrazhit ndërkombëtar detyrojnë institucionet apo agjencitë e varësisë të paguajnë fatura të kripura për studiot mbrojtëse të avokatisë që kontraktohen, apo për rrethana që s’kanë të bëjnë aspak me to.
Raportet e fundit të auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit pranë dy institucioneve, konkretisht Agjencisë Kombëtare të Burimeve të Natyrës dhe operatorit të kontrollit ajror Albcontrol, tregojnë se në momente të caktuara këto të fundit janë vënë në vështirësi financiare, pikërisht si efekt i përfshirjes së shtetit në beteja gjyqësore ndërkombëtare.
Audituesit e KLSH vërejnë se në rastin e AKBN, pagat nuk janë paguar për disa muaj radhazi për shkak të vështirësisë financiare të këtij institucioni, që ka kërkuar që faturat t’i paguante Albpetrol në pamundësi për t’i paguar ajo vetë.
Për të dyja rastet, shuma arrin mbi 85 milionë euro, ku pjesa më e madhe prej tyre i përket Albcontrol.
AKBN pa para për paga, faturat i shlyen Albpetrol
Raporti nënvizon se AKBN, më datën 02.03.2022, ka kryer pagesën e faturës së parë studios ligjore H… L… në vlerën 250,000 euro. Duke pasur parasysh gjendjen e vështirë financiare në të cilën ndodhet institucioni, AKBN iu drejtua MIE (shkresa 618/14 datë 29.07.2022), lidhur me gjetjen e mundësive për kryerjen e pagesave nga Albpetrol sha.
Me shkresën nr. 1101/12, datë 29.07.2022, MIE i është drejtuar shoqërisë Albpetrol sha për realizimin e kërkesës së AKBN-së lidhur me pagesat e shpenzimeve paraprake gjyqësore.
“Kjo pagesë u realizua nga Albpetrol sha më datën 02.08.2022 për shpenzimet gjyqësore ICC në vlerën 150,000 USD në favor të AKBN. Gjithashtu, bazuar në Aktin Normativ Nr. 12 datë 01.12.2022, si dhe shkresës së MIE drejtuar Albpetrol sha me nr. 2315/3 prot., datë 12.12.2022, MIE ka kryer pagesën për studion ligjore H… L… në vlerën 550,000 euro, ndërsa Albpetrol sha ka kryer pagesën ndaj dy ekspertëve në vlerën 361,250 USD.
Në kushtet e nevojës urgjente për kryerjen e pagesës së ambienteve me qira për seancat dëgjimore, sipas shkresës së Avokaturës së Shtetit nr. 44/3 datë 26.01.2023, me qëllim mbarëvajtjen e procesit të arbitrazhit, AKBN ka kryer pagesën e pjesës takuese në vlerën 20,555 euro më datën 27.01.2023,” thuhet në raportin e KLSH.
Në raport nuk jepen detaje se për cilin nga rastet e arbitrazhit janë këto fatura, edhe pse qeveria dhe agjencitë e saj të varësisë, si Albpetrol, kanë qenë të përfshira në arbitrazhin me Bankers Petroleum, si dhe në një tjetër me GBC Oil Ltd apo ish-Stream Oil.
Si efekt i kësaj vështirësie financiare të AKBN-së, audituesit kanë konstatuar se për disa muaj radhazi nuk janë paguar në kohë pagat e punonjësve.
“Nga auditimi rezultoi se AKBN, duke qenë në kushte të vështira financiare, nuk ka paguar punonjësit për muajt nëntor, dhjetor të vitit 2023 dhe për muajt janar dhe shkurt të vitit 2024 në kohë,” thuhet në raport.
Albcontrol mori borxh në 5 institucione, rreth 84 milionë euro
Albcontrol nuk mundi të arkëtojë paratë e saj pranë llogarive në Eurocontrol për disa vite. Llogaritë e saj mbaheshin peng si efekt i vënies nën sekuestro për llogari të vendimit që arbitrazhi dha në favor të investitorit Francesco Becchetti. Vetë Albcontrol priste që llogaritë e saj të mbeten të bllokuara deri në mars 2025, derisa të plotësohej shuma e nevojshme për detyrimin e arbitrazhit.
Ndërkohë, në kushtet kur i duhet të operojë, kompania ka marrë borxh në disa institucione në vend. Raporti i auditimit i KLSH pranë Albcontrol zbardhi se janë rreth 84 milionë euro të marra përmes pesë marrëveshjeve.
“Gjatë vitit 2022, ashtu si edhe gjatë vitit 2021, shoqëria nuk ka arkëtuar asnjë të ardhur nga shërbimi en route dhe terminal charge si pasojë e një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë të Brukselit për ngrirjen e llogarive të Albcontrol sha pranë organizatës Eurocontrol.
Për përballimin e situatës së krijuar mbi mosarkëtimin e të ardhurave, Albcontrol sha ka lidhur 3 marrëveshje për hua financiare si më poshtë:
Vlera prej 5 milionë euro, nga Autoriteti Portual i Durrësit, nëpërmjet vendimit nr. 5, datë 23.02.2022 dhe me Kontratë Huaje nr. 686 Prot., datë 03.03.2022.
Vlera prej 936,000,000 lekë, nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, nëpërmjet vendimit nr. 16, datë 17.08.2022 dhe me Kontratë Huaje nr. 2178 Prot., datë 24.08.2022.
Vlera prej 2,000,000,000 lekë, nga Autoriteti i Aviacionit Civil, nëpërmjet vendimit nr. 24, datë 22.12.2022 dhe me Kontratë Huaje nr. 3078 Prot., datë 27.12.2022.
Vlera prej 2,000,000,000 lekë, nga Korporata Shqiptare e Investimeve, nëpërmjet vendimit nr. 24, datë 21.11.2023 dhe me Kontratë Huaje nr. 2570 Prot., datë 24.11.2023.
Vlera prej 3,000,000,000 lekë, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, me Kontratë Huaje nr. 2857 Prot., datë 27.12.2023,” thuhet në raportin e auditimit.
Detyrimet e arbitrazheve arrijnë 181 milionë euro
Shteti shqiptar ndër vite është përfshirë në arbitrazhe të ndryshme, ku në shumicën e rasteve vendimet kanë qenë kundër tij, ashtu sikurse ka pasur edhe raste më të pakta, por në favor.
Referuar relacionit të buxhetit 2025, Ministria e Financave raportoi se detyrimet e mbetura nga arbitrazhet deri në shtator 2024 ishin 71.6 milionë euro, ndërkohë që detyrimet kontigjente, që kanë të bëjnë me vendime akoma të papërfunduara në procedura ligjore, ishin 109 milionë euro. Në total, detyrimet llogariten në 181 milionë euro./ Monitor