Katër efektivë policie janë arrestuar nga AMP pas masakrës me 4 të vrarë në lagjen Dobraç të Shkodrës.
Në pranga kanë rënë Blerim Kurmekaj e Viktor Logu, me detyrë Patrullë e Përgjithshme e Forcës së Posaçme Shqiponja në DVP Shkodër, Inspektori Julian Sterkaj dhe Marte Martini, me detyrë Trupë Shërbimi në Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Shkodër.
Ato akuzohen për “Shpërdorim detyre” pasi nuk shoqëruan dhe nuk identifikuan personat e gjetur në vendngjarje ditën që ndodhi atentati.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër-Lezhë) ka ekzekutuar Urdhërat e ndalimit caktuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ndaj 4 punonjësve të policisë, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre “ pasi nuk kanë rrespektuar procedurat standarde të “Sigurimit të vendit të ngjarjes” dhe shoqërimit për identifikim të personave të gjetur në vendin e ngjarjes.
Urdhri i ndalimit vjen pas referimit të bërë nga Drejtoria Rajonale e AMP – së, në lidhje me ngjarjen kriminale të datës 30 tetor, në lagjen Dobraç të Shkodrës, ku persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri ndaj automjetit tip Benz S-Class, në të cilin udhëtonin shtetasit Hamza Lici dhe Arlind Bushati si dhe një person tjeter i paidentifikuar”.